Donald Trump e telefonoi Vladimir Putinin pas takimit me Volodymyr Zelensky dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë të hënën. Trump shkroi se ai “ka filluar përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet më vonë, midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelensky.
Presidenti ukrainas thotë se është i gatshëm për takim me Rusinë, por vetëm në nivel liderësh, respektivisht mes tij dhe Putinit.
“Datë? Jo, jo, nuk kemi asnjë datë. Vetëm e konfirmuam këtë takim produktiv me presidentin dhe me të gjithë kolegët tanë, partnerët tanë, e konfirmuam se jemi të gatshëm për takim trepalësh, dhe nëse Rusia i propozon presidentit të SHBA-së dypalëshe, e më pas, do të shohim rezultatin e takimit dypalësh, dhe më pas mund të jetë edhe trepalësh. Unë thash që Ukraina nuk do të ndalojë në rrugën drejt paqes, dhe ne jemi të gatshëm, por në nivel të liderëve”, tha mes tjerash Zelensky.
I pyetur për hartën që u shfaq në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky tha se çështja e territoreve do të zgjidhet mes tij dhe Putinit.
“Ne e kuptojmë shumë mirë gjakun e ushtarëve tanë, se ku është derdhur në çdo kilometër katror. Dhe për mua ky është një moment prekës. E doja këtë. Me sa duket, presidenti e ka dëgjuar dhe e ka parë. Kemi pasur qasje të ndryshme, por ky është një informacion i rëndësishëm. Dhe kështu, çështja e territorit…është një çështje…që ne do ta zgjidhim mes meje dhe Putinit”, tha Zelensky.





