Deputeti finlandez, Eemeli Peltonen, ka vdekur sot në ndërtesën e Parlamentit të Finlandës, raporton gazeta finlandeze “Helsingin Sanomat“, përcjell Reporteri.net.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar Policia e Helsinikit, teksa ka thënë se po heton shkaqet, por se deri tani nuk dyshohet për ndonjë veprim kriminal.
Edhe Parlamenti ka njoftuar për vdekjen e tij.
Peltonen ishte deputet i zgjedhur për herë të parë nga qarku i Uusimaa-s. Para kësaj, ai kishte punuar si ekspert komunikimi dhe asistent parlamentar për Sindikatën e Punëtorëve të Shërbimeve në Finlandë (PAM). Ai ishte 30 vjeç.
Kryetari i Parlamentit, Jussi Halla-aho, shprehu ngushëllimet e tij në emër të Parlamentit për familjen dhe të afërmit e Peltonenit në rrjetin X (ish-Tëitter).
“Peltonen ishte një koleg i dashur dhe i respektuar përtej vijave partiake” shkroi ai.
Sipas raportimeve të mediave finlandeze, bëhet fjalë për vetëvrasje.
Por, Drejtori i Sigurisë, Aaro Toivonen, nuk e konfirmoi dhe as mohoi informacionin për vetëvrasje që më parë ishte raportuar nga Iltalehti.
Rasti po hetohet si “shkak vdekjeje” dhe policia nuk ka dhënë informacione të tjera.
Drejtori i Komunikimeve të Parlamentit, Rainer Hindsberg, tha më herët për median se trupi ishte larguar nga ndërtesa e Parlamentit.
Përpara ndërtesës së Parlamentit, flamujt finlandezë u ulën në gjysmë shtize para orës 14:00.
Drejtori i Sigurisë, Toivonen, e quajti ngjarjen “jashtëzakonisht të rrallë dhe të trishtë”. /Reporteri.net





