Kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me artistë dhe krijues të Shkupit, ku, siç thotë, ka dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre.
“U takova me artistët, me njerëzit që i japin shpirt qytetit tonë përmes punës dhe krijimtarisë së tyre. Ishte një bisedë e hapur, ku secili solli një pjesë të realitetit që përjeton çdo ditë. I dëgjova me vëmendje, sepse zëri i tyre ka peshë dhe, përmes artit, ata flasin jo vetëm për veten, por për të gjithë ne,” shkroi Mexhiti.
Ai tha se kërkesa e tyre është e qartë: “Arti të mos mbetet në margjina, por të marrë vendin që i takon. Kjo do të thotë kushte më të mira pune, hapësirë më të madhe për krijim dhe mbështetje institucionale që u jep mundësinë të zhvillohen e të rriten.”
Sipas tij, artistët nuk duhet të gjenden para mungesave që i detyrojnë të kërkojnë rrugë të tjera. “Prandaj, unë jam i vendosur që ky zë të shndërrohet në veprim dhe mbështetje. Sepse besoj se një shoqëri që investon në art dhe tek artistët e saj është një shoqëri që e hap të ardhmen. Arti na bën më të ndjeshëm, më të hapur dhe më të bashkuar. Prandaj, mbështetja për komunitetin e artistëve do të mbetet një prej prioriteteve tona, të cilin do ta çoj përpara me përkushtim”, theksoi Mexhiti.










