Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka reaguar ashpër për takimet e ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, me ish-kryeministrin e arratisur, Nikolla Gruevski, duke i cilësuar ato si pjesë të “pazareve të errëta të BDI-së” dhe shkelje të interesave të shqiptarëve.
“Takimet e Bujar Osmanit me Nikolla Gruevskin kanë ndodhur. Këtë e di i gjithë opinioni, sidomos kur pushteti i atëhershëm ishte bërë gati ta kthente Gruevskin në Shkup, pasi ndryshuan Kodin Penal për t’i vjetërsuar lëndët e një individi të futur në listën e zezë amerikane. Madje, kujtojmë edhe presionin ndaj ish-kryetares së Gjykatës Supreme!”, shkruan Fetai.
Ai shton se Osmani nuk pati guxim ta mohojë:
“As vetë Osmani nuk pati guxim ta mohojë. Siç bën tash 20 vite, u përpoq të luajë naivin dhe të fshihet pas Ligjit për informata të klasifikuara. Por pikërisht këtu fillon mashtrimi. Ligji është i qartë: klasifikohen vetëm ato informata që prekin sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kurrë nuk mund të klasifikohen takime që lidhen me krime, korrupsion dhe pazare politike. Pra, vetë ligji e rrëzon në vend justifikimin e Osmanit.”
Fetai ngrit pyetje të hapura për transparencën e takimeve:
“Pse u takua ministri i jashtëm me një të dënuar për krim e korrupsion, të vendosur në listën e zezë amerikane?
Kush ia dha urdhrin Osmanit të shkelë ligjin dhe të njollosë shqiptarët?
Për kë u bë ai takim dhe në çfarë pazari u futën Osmani dhe Gruevski?”
Ai përfundon duke theksuar se institucionet nuk janë pronë e individëve të caktuar:
“Institucionet nuk janë çiflig i Osmanit, Grubit e Ahmetit. Takimi me Gruevskin nuk ishte për shqiptarët, por për klanet e korrupsionit. Ky turp nuk mbulohet me ligje, alibi e fjalë koti, por vetëm sa e zbulon të vërtetën e madhe: BDI përdori shtetin për pazare të errëta në dëm të shqiptarëve!”










