Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, prezantoi sukseset e Masës për krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve të gjelbra, duke theksuar se kjo politikë ka mundësuar hapjen e qindra vendeve të punës në sektorin privat dhe ka nxitur kompanitë të investojnë në teknologji moderne dhe energji të pastër.
“Përmes kësaj mase, krijuam pothuajse 400 vende të reja pune në sektorin privat”, tha Durmishi. Sipas tij, mbi 228 kompani janë përfshirë në projekte të gjelbra dhe vetëm bizneset kanë investuar mbi 200 milionë denarë mjete të tyre.
Ai theksoi se shteti nuk është thjesht sponsor, por nxitës i kapitalit privat.
“Politika jonë nuk është vetëm subvencion, por katalizator për kapitalin privat dhe për ekonominë e gjelbër”, deklaroi ai, duke shtuar se këto rezultate kanë hapur një kapitull të ri për kompanitë vendase, duke i bërë ato më të forta, më moderne dhe më konkurruese.










