Një operacion ultra-sekret i forcave speciale amerikane – më saktë, i njësisë elitare SEAL Team 6 – hyri në territorin e Koresë së Veriut në fillim të vitit 2019 me një mision të vetëm: të përgjonte komunikimet personale të Kim Jong-un.
Por ajo që nisi si një manovër e rrezikshme inteligjence, përfundoi në një përplasje të përgjakshme me civilë koreanë, duke kompromentuar gjithçka dhe rrezikuar një krizë ndërkombëtare në prag të samitit Trump-Kim në Hanoi, raporton New York Times.
Operacioni u miratua personalisht nga presidenti Donald Trump, pas këshillimeve me zyrtarë të lartë të Pentagonit dhe CIA-s. Burimet e NYT-së konfirmojnë se misioni kishte si objektiv vendosjen e një pajisjeje elektronike për përgjimin e liderit korean, në një zonë bregdetare të identifikuar përmes vëzhgimeve të gjata satelitore.
Detyra iu besua Red Squadron-it të SEAL Team 6, i njëjti grup që kishte ekzekutuar Osama bin Laden. Ata u stërvitën për muaj të tërë, duke simuluar kushtet ekstreme të bregdetit koreano-verior.
Përdorimi i nëndetëseve të vogla të llojit “wet sub”, të cilat lejojnë SEAL-ët të udhëtojnë në ujë të ftohtë pa u zbuluar, ishte çelësi i operacionit. Dy prej tyre u lëshuan nga një nëndetëse bërthamore pranë vijës bregdetare të Koresë së Veriut.
Komandot amerikanë, të veshur me skafandra neopreni dhe të armatosur me armë të pashënueshme, u futën në mënyrë të heshtur në një zonë të përzgjedhur si e sigurt.
Por një varkë peshkimi u shfaq nga hiçi – një devijim i vogël nga plani që do të kishte pasoja të mëdha.
Duke besuar se ishin zbuluar, SEAL-ët hapën zjarr pa paralajmërim ndaj mjetit lundrues, duke vrarë të gjithë personat në bord.
Sipas burimeve të brendshme, ata ishin civilë të paarmatosur që po mblidhnin molusqe – jo trupa ushtarake apo agjentë të sigurisë.
Ekipi u tërhoq menjëherë pa vendosur pajisjen e përgjimit, duke hedhur trupat në ujë për të fshehur incidentin dhe duke u kthyer në nëndetësen mbështetëse, e cila mori një rrezik të jashtëzakonshëm duke iu afruar bregut.
Asnjë amerikan nuk u plagos, por misioni dështoi plotësisht, dhe mundësia për të përgjuar Kim-in u zhduk përfundimisht.
Operacioni nuk iu raportua as Kongresit dhe as komiteteve të mbikëqyrjes së inteligjencës — një veprim që mund të përbëjë shkelje të ligjit federal, sipas ekspertëve të të drejtës kushtetuese dhe të sigurisë kombëtare.
Ish-zyrtari i sigurisë kombëtare Matthew Waxman deklaroi për NYT: “Ky është pikërisht lloji i operacionit që, në rrethana normale, kërkon njoftim të menjëhershëm ndaj Kongresit. Mungesa e transparencës rrit rrezikun për abuzime dhe pasoja ndërkombëtare”.
As Shtëpia e Bardhë, as Pentagoni, as Korea e Veriut nuk e kanë komentuar publikisht ngjarjen. Satelitët amerikanë më vonë vunë re aktivitet ushtarak të shtuar në zonën ku ndodhi incidenti, por regjimi i Kim-it nuk e bëri asnjëherë publik rastin – ndoshta për të mos nxitur një konflikt direkt.
Takimi Trump-Kim në Hanoi ndodhi pak javë më vonë dhe përfundoi pa marrëveshje. Koreja e Veriut rifilloi testet raketore vetëm disa muaj më vonë dhe që nga ajo kohë ka dyfishuar arsenalin bërthamor.
Administrata Biden, në vitin 2021, urdhëroi një hetim të brendshëm nga Inspektori i Përgjithshëm i Ushtrisë, i cili i informoi përfundimisht udhëheqësit e Kongresit. Gjetjet e hetimit mbeten të klasifikuara.










