Studeniçani u bë vendi i një tubimi madhështor në kuadër të hapjes së shtabit zgjedhor për kandidatin e VLEN-it, Sedat Bislimi, një ngjarje që simbolizon mbështetjen e gjerë për të, sipas zv/kryeministrit dhe kandidatit të VLEN-it për Çair, Izet Mexhiti, raporton alfax.mk.
“Komuna e Studeniçanit ka shumë territor dhe sfida, dhe nëse nuk ka përkrahjen e Qytetit, dikastereve dhe Qeverisë, nuk mund të realizohen projekte të rëndësishme, siç është rruga për në Koliçan të Epërm, e cila tashmë mban vulën e VLEN-it dhe të një viti të qeverisjes tonë,” deklaroi Mexhiti.
Zv/kryeministri theksoi se VLEN-i ka dëshmuar gjatë vitit të parë të qeverisjes se është në gjendje të udhëheqë edhe komunat.
“Unë nuk kam aspak dyshim se Sedati është kandidati më i mirë. Ai do të ketë mbështetjen e Çairit, Sarajit, Qytetit të Shkupit, si dhe të ministrave dhe zv/ministrave,” shtoi Mexhiti.
Ai theksoi gjithashtu se qeveria ka ndarë një miliard euro për të adresuar problemet infrastrukturore të komunave, duke siguruar se VLEN-i nuk ka diskriminuar asnjë komunë, pavarësisht përkatësisë së partisë së kryetarit.










