Sot pasdite, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vizitoi konakun e Isak Abduramanit në fshatin piktoresk të Tetovës, Vicë. Ai qëndroi në punëtorinë e mjeshtrit, aty ku çdo tingull i çiftelisë mbart shpirtin e tij të madh dhe dashurinë për kulturën tonë.
“Çiftelia për Isakun nuk është thjesht vegël muzikore, por frymëzim, trashëgimi dhe gjurmë që mbeten në zemrat e njerëzve. Në çdo punim të tij ndjen pasionin, përkushtimin dhe artin që ai përcjell me shumë dashuri,” shkruan Kasami.

Kryetari thekson se punëtoria e Abduramanit është një vend mikpritjeje, ku fjala dhe muzika bashkohen dhe ku arti bëhet pjesë e jetës së përditshme: “Punëtoria e tij është vatër mikpritjeje, vend ku fjala dhe muzika bashkohen, ku arti bëhet pjesë e jetës së përditshme.”
Nën tingujt e çiftelisë, Isaku ndau kujtime nga periudhat e vështira nëpër të cilat kaloi: “Duke rrëfyer për dashurinë për tokën, për njerëzit dhe për besimin e palëkundur në drejtësi e liri. Edhe pse shpesh i përndjekur nga regjimi jugosllav, ai nuk e humbi kurrë guximin, as besimin në vlera.”
Kasami përfundon me një mesazh mirënjohjeje për trashëgiminë shpirtërore që Abduramani po lë brezave: “Jam mirënjohës për këtë takim dhe për trashëgiminë shpirtërore që Isaku po u lë brezave.”











