Një anketë e fundit e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), kryer në periudhën maj–korrik 2025 në pesë vende të Ballkanit Perëndimor, zbulon dallime të dukshme në mënyrën se si Shqipëria dhe shqiptarët shihen nga fqinjët rajonalë.
Në Kosovë, Shqipëria gëzon një perceptim jashtëzakonisht pozitiv. 90 për qind e të anketuarve kanë shprehur vlerësim të favorshëm për Shqipërinë, duke e renditur menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleaten më të rëndësishme të vendit.
Në anën tjetër, në Serbi, perceptimi ndaj Shqipërisë është thellësisht negativ. Vetëm 2 për qind e serbëve kanë një vlerësim të lartë për Shqipërinë, ndërsa 56 për qind shprehen se kanë një qëndrim “shumë të pafavorshëm”, shifër që shënon një nga nivelët më të larta të mosbesimit në rajon ndaj një shteti fqinj.
Në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, perceptimi ndaj Shqipërisë mbetet i ndarë.
Në Malin e Zi, vetëm 9 për qind e të anketuarve kanë vlerësim të lartë për Shqipërinë, ndërsa 30 për qind shprehen hapur se kanë një qëndrim shumë negativ. Në Maqedoninë e Veriut, ndarjet janë pothuajse të barabarta mes atyre që kanë një perceptim pozitiv dhe atyre që kanë një vlerësim negativ.
Ndërkohë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëria perceptohet në mënyrë më neutrale, me 52 për qind të të anketuarve që kanë shprehur një qëndrim të paktën “disi të favorshëm”, ndërsa 42 për qind kanë një qëndrim negativ.









