Në Hagë të Holandës ka nisur grumbullimi masiv i shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës për protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të mbrojtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës së UÇK-së.
Ata janë mbledhur në një park afër muzeut Madurodam, i cili ndodhet rreth katër kilometra larg Dhomave të Specializuara, ngase autoritetet holandeze s’e kanë lejuar protestën para objektit të së ashtuquajturës Gjykatë Speciale për arsye sigurie.
Kjo protestë vjen një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes. Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, do të dëshmojë më 15 shtator në mbrojtje të ish-eprorëve të UÇK-së, krahas ushtarakëve e diplomatëve tjerë amerikanë.
Të ardhur nga shtete të ndryshme të Evropës, dhe nga Kosova, qindra qytetarë ishin mbledhur edhe më 3 prill 2023 në një protestë në Hagë, për të shprehur mbështetje për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe për të kundërshtuar procesin e padrejtë gjyqësor.
Ndryshe, mijëra qytetarë kishin protestuar edhe më 7 gusht 2025 në Prishtinë kundër padrejtësisë të së ashtuquajturës Gjykatë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kundër të cilëve është duke vazhduar procesi gjyqësor për krime të pretenduara lufte.
Katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – ndodhen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020, ndërsa qëndrimi i tyre për pesë vjet atje është cilësuar shkelje e të drejtave të njeriut.










