Trendy

Fetai: BDI për 3 vite sa ishte në qeveri, ndau 2.8 milion denar për Kishën në Mateç

Para 6 muaj

Zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Arben Fetai, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka akuzuar BDI-në dhe ish-ministrat e saj për hipokrizi dhe shpërdorim të pushtetit.

“Kur ishin në pushtet, shokët e Erkan Arifit dhe ministrat e BDI-së ndanin fonde buxhetore për manastirin e Mateçit, ndërsa në kuadër të Ballkanit të Hapur e shisnin shqiptarinë. Në vitin 2020, BDI dha 300 mijë denarë nga paratë tona për restaurim të këtij manastiri; 1 milion më 2021; dhe 1.5 milion më 2023”, ka shkruar Fetai.

Ai shton se për sa kohë ishin në qeveri, këto manifestime fetare nuk i pengonin askujt nga BDI-ja:
“Pra, sa ishin në pushtet, as kisha, as festat fetare të mbajtura çdo vit në të njëjtin vend – madje edhe menjëherë pas luftës – nuk u pengonin. Përkundrazi, ata i financonin nga buxheti, ndërsa vizitonin manastire të tjera krah Vuçiçit, duke bërë thirrje për pajtim shqiptaro-serb kur nënat kosovare ende i kërkojnë bijtë e tyre të masakruar nga Serbia. Por, kur BDI-ja mbështeste manifestimet fetare në Mateç, Erkan Arifi heshtte.”

Në vijim, Fetai ka kritikuar ish-kryetarin e Likovës, duke thënë se gjatë qeverisjes së tij nuk kishte reaguar për problemet jetike të banorëve:
“Kur banorët e Likovës pinin ujë të helmur me arsen, Erkan Arifi nuk shqetësohej. Kur bërllogu i komunës u zbrazej te pragu i derës banorëve të Nikushtakut, ai sërish nuk shqetësohej. Kur mungonin rrugët, uji i pijshëm dhe kopshtet për fëmijë, ai prapë se prapë heshtte.”

Duke e përmbyllur reagimin, zëvendëskryeministri thotë se ndryshimi i vetëm është humbja e pushtetit nga duart e BDI-së:
“Tani, papritmas, nga opozita, na zgjohet si ‘patriot i madh’ dhe shpallet mbrojtës i shqiptarëve. Çfarë ka ndryshuar? Vetëm një gjë: pushteti dhe privilegjet u kanë ikur nga duart në nivel qendror dhe po u ikin edhe në komuna. Likova e di mirë kush e ka helmuar, kush e ka poshtëruar dhe kush e ka shfrytëzuar për tenderë e pasuri personale. Shqiptarët e kuptojnë se hipokrizia e BDI-së nuk është patriotizëm, por demagogji dhe panik i një organizate kriminale që shet çdo gjë për pushtet.”

Trending