Trendy

Ahmeti sfidon Mickoskin, VLEN dhe LSDM kërkojnë ndryshim, kandidatët prezantojnë vizionet e tyre

Para 4 muaj

Ashpër ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur konventën promovuese të kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë komunal, për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se më 19 tetor është referendim i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pasi VMRO DPMNE dhe Hristijan Mickoski nuk respektuan legjitimitetin e fituar të shqiptarëve dhe vazhduan të rrënojnë Marrëveshjen paqësore të Ohrit. Mickoski me argatët e tij dhe gabimet që bën vetëm i mobilizon shqiptarët, tha Ahmeti.

“Mickoski don me dal trim mbi trima, Hristijani me argatët e tij, me gabimet e një pas njëshme, vetëm se i mobilizon shqiptarët. Ne nuk hedhim gurin e ta fshehim dorën, sepse na akuzuan nga qeveria se po ndezim zjarre, se duam të djegim xhamia, se duam të vrasim njërin nga kandidatët e tyre, këto janë shpifje të tmerrshme! Mickoski përballe ka kuadro dhe ekipe mirë të specializuara në të gjitha fushat, sepse secili kandidat i joni është më i mirë se tjetri. Hristijan, me zagarë në gjueti dilet për lepuj e jo për shqiponja. Shqiponjat fluturojnë lartë, zagarët ruaj për lepuj” theksoi lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Ai njëherit theksoi se shqiptarët duan paqe, stabilitet, ardhmëri, duan Evropën, duan NATO-n.

NARRATIVI I AHMETIT SHKAKTON REAGIME TE PUSHTETI

Kjo retorikë e Ahmetit ka nxitur reagime te partitë në pushtet. VMRO-DPMNE reagoi ashpër duke i thënë Ahmetit se ai nuk është shqiponjë, por një harabel, ndërsa e akuzuan atë dhe partinë e tij se është e zhytur në krim dhe korrupsion dhe se VMRO-DPMNE nuk do të lejoj që BDI të fitojë ndonjë komunë. “Kemi një mesazh për Ali Ahmetin: ti nuk je shqiponjë, por një harabel i zakonshëm. Në thelb, as ju nuk jeni shqiponja, por sorrat kriminale dhe të korruptuara. Më të zëshmit janë pikërisht më të frikësuarit. Me projekte, me masa, me reforma dhe me jetë më të mirë. Shqiptarëve moti u ka ardhur në majë të hundës nga Ahmeti, dhe këtë do ta tregojnë në zgjedhjet e ardhshme bashkë me maqedonasit, të gjithë së bashku. BDI do t’i humbasë pothuajse të gjitha komunat në vend”, theksojnë nga VMRO-DPMNE. Me reagime të menjëhershme dhe në një vijë dolën edhe nga VLEN. Një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, përmes një reagimi publik u shpreh: “Në momentin që i quajte ‘zagarë’ të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që nuk mendojnë si ti, e ke përfunduar karrierën politike. Sonte e ke vulosur delegjitimimin,” shkroi Mexhiti.

OSMANI PREZANTON PROGRAMIN E TIJ ZGJEDHOR

Ndërkohë në ditën e parë të fushatës kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, prezantoi programin e tij zgjedhor me prioritete të qarta, afatshkurtra dhe afatgjata, duke theksuar se ndryshimi është i domosdoshëm dhe duhet të fillojë menjëherë.

“Prioriteti ynë i parë është mobiliteti në Çair, sepse ky është parakushti për funksionet e tjera: 2500 vende të reja parkimi, një ndërmarrje e re komunale për higjienë dhe një politikë e re për luftën kundër korrupsionit. Do të transmetojmë drejtpërdrejt të gjitha fazat e prokurimeve publike, sepse duhet ta heqim imazhin se të gjithë politikanët janë të korruptuar. Vetëm kështu do ta rikthejmë besimin e qytetarëve”, tha Osmani.

Ai shtoi se Çairi nuk mund të jetojë më në kaos, pa rregull dhe i kapur nga një “klikë” që nuk e qeveris as nga vetë komuna. Sipas tij, qytetarët nuk kërkojnë vetëm ndërrim emrash nëpër funksione, por ndryshim të vërtetë të kulturës së qeverisjes. “Qytetarët kërkojnë ndershmëri, përkushtim dhe një qasje të re në menaxhimin e komunës. Koha për këtë ndryshim është tani”, theksoi ai. Në programin e tij, Osmani prezantoi dy drejtime kryesore veprim urgjent për problemet më kritike dhe një vizion afatgjatë për zhvillimin e Çairit. Ai paralajmëroi se Çairi gjendet në një udhëkryq: ose do të vazhdojë rrugën e korrupsionit dhe ndërtimeve pa leje, ose do të zgjedhë vizionin e një komune evropiane dhe moderne.

KASAMI: VAZHDOJMË ZHVILLIMIN E TETOVËS

Programin e tij, para opinionit publik e prezantoi edhe kandidati i VLEN-it për komunë të Tetovës, Bilall Kasami. Ai theksoi se po kërkon mbështetjen për mandatin e dytë, për të vazhduar zhvillimin e Tetovës. Siç tha Kasami, mandati i parë ishte mandat i ndërhyrjeve emergjente, i zgjidhjeve të problemeve elementare dhe i rregullimit të infrastrukturës bazë, ndërsa u zotua se në mandatin e dytë do ta çojë Tetovën në një tjetër nivel.

“Ne jemi gati që Tetovën ta çojmë në një nivel tjetër me Kapitullin e Dytë të zhvillimit. Sepse Tetova nuk guxon të kthehet në epokën e anarkisë, kaosit, keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Tetova duhet të vazhdojë të zhvillohet edhe më hovshëm. Prandaj, kam kënaqësinë që tua prezantoj planin e detajuar, me projekte dhe masa konkrete, për vazhdimin e këtij zhvillimi. Pas shumë konsultimeve me bashkëpunëtorë, ekspertë, qytetarë, afaristë, organizata joqeveritare, të rinj e të reja, hartuam programin për mandatin e dytë, në të cilin e çojmë Tetovën drejt standardeve të përhershme në vend të zgjidhjeve të përkohshme”, theksoi Kasami.

Ai tha se programi i tij fokusohet në përmirësimin e shërbimeve publike, hapjes së komunës për qytetarët, në projekte konkrete për arsimin dhe transformimin urban dhe kulturor të komunës.

“Ne jemi gati që Tetovën ta çojmë në një nivel tjetër me Kapitullin e Dytë të zhvillimit. Sepse Tetova nuk guxon të kthehet në epokën e anarkisë, kaosit, keq-menaxhimit dhe korrupsionit. Tetova duhet të vazhdojë të zhvillohet edhe më hovshëm”, theksoi Kasami.

MICKOSKI: QYTETARËT ZGJEDHIN MES VMRO-SË APO OPOZITËS

VMRO-DPMNE dhe koalicioni e nisin fushatën zgjedhore në Shkup, me promovimin e kandidatit për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski theksoi se në këto zgjedhje qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin në mes koalicioni i udhëhequr nga partia e tij dhe koalicioni i LSDM-së, BDI-së dhe Levicës. Një mundësi e tretë, thotë Mickoski, nuk ekziston dhe kushdo që mendon se duke qëndruar në shtëpi, duke abstenuar, do të ndëshkojë dikë, ose do të tregojë sfidë ose do të dërgojë ndonjë lloj mesazhi, gënjen.

“Një opsion është koalicioni i LSDM-së, BDI-së dhe Levicës, koalicioni Venko Filipce-Ali Ahmeti, Dimitar Apasiev, dhe edhe nëse do të thoja Dimitar Zaev, nuk do të gaboja shumë sepse guruja në sfond është ai i këtij koalicioni dhe kjo është rruga që ne e kemi ndjekur për shtatë vjet. Një rrugë krimi, korrupsioni, poshtërimi kombëtar, mosveprimi, mosrealizimi. Dhe opsioni tjetër është VMRO-DPMNE dhe koalicioni. Kjo është ajo për të cilën ne, së bashku me mbështetjen që kemi nga qytetarët, kemi punuar për 15-16 muajt e fundit. Dhe nëse ata janë të kënaqur me atë që po bëjmë, i bëj thirrje me vullnetin e tyre të lirë të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e 19 tetorit për opsionin që ata e konsiderojnë më të mirë”, tha kryeministri Mickoski. Ai, deklaroi se pret një fushatë të qetë për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025. Megjithatë ai tha se pushteti do të bëjë fushate pozitive, me projekte konkrete dhe vizion, ndërsa pret që opozita të manipulojë.

LSDM: LUFTOJMË PËR SHTËPINË TONË TË PËRBASHKËT

LSDM dhe koalicioni e nisin fushatën me një mesazh të qartë: kjo është betejë për shtëpinë tonë të përbashkët, Maqedoninë, thuhet në komunikatën drejtuar opinionit nga LSDM-ja opozitare. “Pothuajse një vit e gjysmë pasi VMRO-DPMNE mori të gjithë pushtetin qendror dhe katër vite pushtet lokal, qytetarët janë dëshmitarë të paaftësisë, korrupsionit, shpërdorimit dhe arrogancës. Në vend të zhvillimit ekonomik, ka ngecje, pagat stagnon ndërsa standardi i qytetarëve bie. Në vend të drejtësisë, ka partizim dhe selektivitet.”, theksojnë nga LSDM. Social demokratët theksojnë se koalicioni i udhëhequr nga LSDM në këto zgjedhje paraqitet me kandidatë të ndershëm dhe kompetentë për kryetarë komunash dhe këshilltarë, njerëz me integritet, me programe që ofrojnë zgjidhje reale dhe të realizueshme, ndërsa thanë se këto zgjedhje janë mes partizimit dhe institucioneve të kapura, ose kthimit të pushtetit në duart e qytetarëve.

Përndryshe, fushata zgjedhore vazhdon deri më 17 tetor ndërsa zgjedhjet mbahen më 19 tetor. Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të tetat që nga pavarësia e shtetit, dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë bashkish dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Votimi do të mbahet në 3,480 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë bashkish dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunale, ose gjithsej 10,490 kandidatë. (koha.mk)

Trending