Një operacion ndërkombëtar i udhëhequr nga Gjermania, me mbështetjen e Europol-it, ka çuar në arrestimin e gjashtë personave të përfshirë në një komplot për rrëmbimin e një trafikanti shqiptar droge.
Sipas Europol-it, më 12 nëntor 2025, autoritetet ligjzbatuese nga Gjermania, Danimarka, Franca, Letonia dhe Mbretëria e Bashkuar goditën një grup mercenarësh të kontraktuar nga një rrjet kriminal për të rrëmbyer kreun e një bande rivale të trafikut të drogës.
Të dyshuarit janë shtetas letonezë, disa prej tyre ish-pjesëtarë të Legjionit të Huaj Francez, të trajnuar profesionalisht dhe të pajisur me mjete ushtarake. Ata kishin marrë urdhër të rrëmbenin një trafikant shqiptar, i dyshuar për organizimin e grabitjes së disa tonëve kanabis me vlerë miliona euro.
Katër prej mercenarëve u arrestuan në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Britaninë e Madhe gjatë ditës së operacionit, ndërsa dy të tjerë, të ndaluar më parë në Gjermani në tetor 2024, janë tashmë të dënuar nga gjykata.
Europol luajti rol kyç në koordinimin operacional, shkëmbimin e informacionit dhe mbështetjen analitike, duke dërguar ekspertë në terren në qytetin e Nicës.
Rasti lidhet me fenomenin e quajtur “Violence-as-a-Service”, ku individë të trajnuar ofrojnë shërbimet e tyre për akte dhune në emër të rrjeteve kriminale.
Disa prej të arrestuarve janë ish-ushtarë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë – një prirje që, sipas Europol-it, po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, pasi këta ish-luftëtarë po përdorin aftësitë e tyre në botën e krimit të organizuar.
Autoritetet paralajmërojnë se ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, Evropa mund të përballet me rritje të përfshirjes së ish-ushtarakëve në aktivitete kriminale, duke krijuar sfida të reja sigurie për kontinentin.










