Nga sot pritet të hyjë në funksion faza testuese e sistemit të ri “Safe City”, një projekt i paralajmëruar më herët nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski. Fillimisht, sistemi do të zbatohet në Qytetin e Shkupit, komunën e Tetovës dhe atë të Kumanovës, ndërsa në gjithë territorin e shtetit pritet të funksionojë plotësisht deri në mesin e vitit 2026.
Sipas ministrit Toshkovski, para fillimit zyrtar të zbatimit të sistemit, do të ketë një periudhë testuese prej të paktën një muaji, gjatë së cilës shoferët do të marrin vetëm paralajmërime për shkeljet e evidentuara, pa gjobë. Funksionimi i plotë dhe i detyrueshëm i sistemit pritet të nisë më 1 janar 2026, pas ndryshimeve të nevojshme ligjore.
Si do të funksionojë sistemi?
• Çdo shkelje e dokumentuar do t’i dërgohet pronarit të automjetit përkatës përmes SMS-i dhe emailit.
• Njoftimi do të përmbajë një link ku mund të shkarkohet raporti dhe urdhri i pagesës.
• Nga momenti i marrjes së njoftimit, shoferi ka 8 ditë kohë për të paguar gjysmën e gjobës.
• Pas kalimit të afatit, gjoba duhet paguar e plotë brenda 8 ditëve të tjera, përpara se të nisë procedura e mbledhjes me forcë.
• Pagesa do të mund të kryhet edhe në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do ta njoftojë menjëherë MPB-në për kryerjen e pagesës.
Sistemi “Safe City” synon të rrisë sigurinë në komunikacion dhe të ulë numrin e shkeljeve përmes monitorimit digjital dhe paralajmërimeve të automatizuara.





