Analisti dhe eksperti i politikave të Ballkanit Perëndimor, Dushan Janiç, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të paraqesin një dokument zyrtar që synon njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Janiçit, ekziston tashmë një draft amerikan, i cili i kërkon Serbisë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Ai theksoi se këtë herë nuk bëhet fjalë për një “non-paper”, term që është përdorur shpesh në kontekstin e Ballkanit, por për një dokument me bazë institucionale në Shtetet e Bashkuara.
“I qëndroj kësaj që kam thënë, por ka disa ndryshime. Termi ‘non-paper’ është i famshëm për Ballkanin dhe përdoret shpesh, përfshirë edhe nga Aleksandar Vuçiç apo aktorë të tjerë politikë. Por këtë herë kam folur për ekspertë amerikanë apo kongresmenë që po përdorin baza konkrete për dialogun e ardhshëm. Sipas informacioneve që kam, Kongresi amerikan ka pranuar ligjin për Ballkanin Perëndimor, i cili e thotë qartë se duhet të arrihet një marrëveshje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Janiç në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania.
Analisti serb kishte paralajmëruar edhe më herët se SHBA-të mund ta prezantojnë këtë dokument gjatë muajve mars ose prill të këtij viti. Sipas tij, dokumenti nuk do të ketë karakter informal, gjë që, siç tha, ka shkaktuar shqetësim dhe frikë në qarqet politike serbe.
“Sipas informacioneve që kam, ky dokument nuk do të jetë non-paper, dhe pikërisht kjo i ka frikësuar serbët”, ka theksuar ai.










