Sekretari shtetëror Fatmir Sabriu mori pjesë sot në Konferencën Trilaterale “EMPOWERED”, e cila ishte e fokusuar në bashkëpunimin rajonal dhe politikat gjithëpërfshirëse për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Sabriu theksoi se konferenca vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, pasi është në proces hartimi Ligji i ri për Rehabilitimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Sipas tij, ky aktivitet shërben si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e praktikave të mira dhe për forcimin e politikave publike në këtë fushë.
Ai nënvizoi se qëllimi i institucioneve mbetet ndërtimi i një sistemi modern dhe funksional, të bazuar në parimet e të drejtave të njeriut, i cili krijon mundësi reale për punësim të barabartë dhe përfshirje të plotë të personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës.










