Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar lidhur me refuzimin e Ministrisë së Drejtësisë për të lejuar zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë vendim si arbitrar, juridikisht të pambështetur dhe institucionalisht të rrezikshëm.
Fetai njoftoi se, në kuadër të procedurave qeveritare dhe institucionale, pritet që Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të shqyrtojnë nëse Ministria e Drejtësisë ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Nëse konstatohet shkelje, do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe institucionale nga Ministri i Drejtësisë, sipas ligjit, për moszbatim të obligimeve të tij”, theksoi Fetai.
Sipas tij, pavarësisht mangësive që mund të ketë, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ligj në fuqi dhe obligues për të gjitha institucionet, të cilat nuk kanë të drejtë ta zbatojnë sipas dëshirës apo ta injorojnë.
Fetai sqaroi se as Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban ndonjë ndalim që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, duke e quajtur këtë një fakt juridik dhe jo interpretim politik.
“Pretendimi se provimi ‘duhet të jetë vetëm në maqedonisht’ nuk mbështetet në asnjë nen konkret ligjor. Kjo nuk është çështje politike, por çështje e barazisë para ligjit dhe e funksionimit serioz të shtetit”, përfundoi Fetai, duke theksuar se ligji duhet të zbatohet dhe përgjegjësia nuk mund të anashkalohet.









