Trendy

Tetovë, protesta kundër tatimit retroaktiv

Para 2 muaj

Me pankarta në duar dhe me mbishkrime: “Sot protestë, nesër drejtësi”, “Jemi bashkë kundër tatimeve retroaktive”, “Mos na dënoni për gabimet tuaja”, dhjetëra banorë nga Tetova dhe rrethina, sot për të tretën herë kanë protestuar duke bllokuar rrugën kundër vendimit për kamatën retroaktive për personat që kanë punuar jashtë shtetit. Ata kërkuan takim me drejtoreshën e DAP-it, por edhe me krerët e partive politike, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje.

“E themi qartë edhe sot, ne nuk jemi parti politike, nuk jemi përkrahës të asnjë partie, por qytetarë të zakonshëm që iu bëhet padrejtësi. Sot nga kjo protestë bëjmë me dije kërkesat tona të qarta. Kërkojmë hapjen e një debati publik dhe parlamentar, sepse një çështje që prek mijëra qytetarë nuk mund të zgjidhet me vendime të mbyllura administrative. Kërkojmë takim urgjent me drejtoreshën e DAP-it për sqarim të plotë me praktikën e vendimeve me efekt retroaktiv, për interpretimin e rezidencës tatimore dhe rregullit të 183 ditëve.”, – theksoi protestuesi, Besir Abdullai.

Protestuesit thanë se nuk janë të gatshëm të paguajnë gabimet institucionale dhe protesta e tyre do të vazhdojë.

“Ne nuk do të dorëzohemi, ne do të vazhdojmë me protestat tona paqësore, që t’i kërkojmë të drejtat tona. Ne nuk jemi të gatshëm të paguajmë gabimet institucionale.”, – u shpreh protestuesi, Besir Abdullai.

Ndërkohë, nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, por edhe nga institucionet tjera, nuk kanë dhënë shpjegim se çfarë do të ndodhë me këta persona, që detyrohen të paguajnë tatim mbi të ardhurat që kanë marrë në formë ndihme. Ndërkohë, drejtori i të ardhurave publike, veç se ka filluar t’ju dërgojë njoftim e disave edhe vendim për të paguar tatimin mbi të ardhurat.

Trending