Tek katër dëgjues të kursit për ushtarë profesionistë në kazermën e Velesit është konfirmuar zgjeba, tha nënkolonele Larisa Oranska, epidemiologe në Qendrën Mjekësore Ushtarake, duke theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe po monitorohet gjendja e të tjerëve pjesëmarrës në kurs.
Rasti i parë, siç thotë ajo, është raportuar të enjten e kaluar, pas së cilës janë marrë të gjitha masat parandaluese.
Personi i diagnostikuar menjëherë është dërguar tek specialisti dhe në trajtim në shtëpi, pas së cilës janë ndërmarrë masa parandaluese shtesë.
“Masat parandaluese i kryejmë rregullisht sipas planit tonë mujor. Dhe sipas indikacionit, si tani, kryejmë edhe mbikëqyrje jashtëzakonisht”, thotë ajo.
Sipas saj, të gjithë ushtarët e pranishëm janë kontrolluar, ndërsa ata me ndryshime në lëkurë janë dërguar shtesë për ekzaminime specialistike.
“Katër personat janë dërguar në trajtim në shtëpi. Të tjerët ndodhen në njësi dhe janë mirë dhe pa simptoma”, tha doktoresha.
Ajo theksoi se sëmundja nuk ka origjinë nga Ushtria, pra është sjellë nga jashtë.
“Derisa deri tani nuk kemi pasur raste zgjeba në Ushtri, as te komandantët, as te ushtarët profesionistë. Sigurisht është sjellë nga jashtë”, tha doktoresha Oranska.
Në objektet ku janë vendosur dëgjuesit është kryer dezinfektim, dezinsekcion dhe deratizim i plotë.
Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, nënkolonel Darko Sterjovski, tha se kushtet në kazermë janë plotësisht sipas rregullave dhe i mohoi si të pavërteta spekulimet për kushte të këqija në objektet e akomodimit.
“Dua të theksoj se kushtet në kazermë janë të kënaqshme dhe në përputhje me rregullat për akomodim dhe rregull në Ushtri”, tha ai.
Më parë, Ministria e Mbrojtjes kishte njoftuar se rasti me zgjeba tek ushtarët profesionistë nuk ka origjinë nga kazermat “Alekso Demnievski Bauman” në Veles. Ata apeluan që të mos manipulohet opinioni publik dhe të mos keqpërdoret rasti individual, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë reputacionit të Ushtrisë.
Para dy ditësh, ARM njoftoi se ka dy raste të konfirmuara të zgjebes tek ushtarët në kazermën e Velesit. Ata gjithashtu informuan se ushtarët e infektuar janë në izolim, dhe si masë parandaluese, të gjithë ushtarët e rinj profesionistë që po trajnohen janë dërguar në shtëpi.










