Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 7 kilogramë marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar në pikën kufitare të Merdarës, si rezultat i një aksioni të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, i cili ishte paraprirë nga hetime disa javore.
Burime të Indeksonline kanë pohuar se i dyshuari është Pren Berisha nga Klina, i njohur për publikun si rapsod kosovar.
Pas arrestimit në Merdare, në koordinim me Prokurorinë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, është realizuar edhe kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit në Prizren.
Gjatë këtij kontrolli janë sekuestruar prova të shumta materiale. Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.





