Gjatë ditës së djeshme, në të gjithë territorin e vendit, policia ka privuar nga liria 11 shoferë për shkelje të rënda në komunikacion, përfshirë drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, pa leje drejtimi ose pavarësisht ndalimit aktiv për të drejtuar mjet motorik, shkruan gazeta KOHA.
Sipas njoftimit të policisë, nga të arrestuarit, një shofer në Shtip dhe një në Demir Kapi janë ndaluar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Dy persona në Manastir janë kapur duke drejtuar automjet pa poseduar leje drejtimi, ndërsa shtatë shoferë – dy në Veles dhe nga një në Tetovë, Kumanovë, Sveti Nikollë, Manastir dhe Resnjë – kanë drejtuar automjet edhe pse kishin masë ndalimi për drejtim të mjeteve motorike të kategorisë B.
Policia bën të ditur se shoferi i ndaluar në Demir Kapi më herët kishte kërcënuar bashkëshorten e tij dhe kishte sulmuar babanë me një send të fortë. Të gjitha personat janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa me udhëzim të prokurorit publik janë sekuestruar edhe automjetet. Pas dokumentimit të plotë të rasteve do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.
Autoritetet apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut, të mos drejtojnë automjet pa leje, në rast të ndalimit aktiv për drejtim ose nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë. (koha.mk)









