Trendy

S’ka më diskoteka verore në parkun e qytetit – Do të ndërtohet një Luna Park

Para 4 orë

Sot filloi rrënimi i diskotekave verore në parkun e Qytetit të Shkupit, për shkak të ndërtimit të parkut argëtues, i cili sipas planit të Qytetit të Shkupit, parku do të duhet të zgjerohet edhe në vendin ku aktualisht ndodhen diskotekat verore.

Me rrënimin e objekteve, sipas Qytetit të Shkupit, fillon edhe puna e parë për fillimin e ndërtimit të Luna Parkut në Shkup.

Sipas Qytetit të Shkupit, objektet e vendosura pa leje prej vitesh e kanë uzurpuar këtë hapësirë të rëndësishme publike ndërsa aksioni i rrënimit është pjesë e aksionit të largimit të objekteve që zënë sipërfaqet publike.

“Bëhet fjalë për largimin e objekteve të përkohshme të vendosura pa leje, të njohura në opinion si diskotekat në park, të cilat prej vitesh e kanë uzurpuar këtë hapësirë të rëndësishme publike dhe për të cilat ekzistojnë vendime për rrënim nga inspektorati ndërtimor i Komunës së Karposhit. Ky aksion është pjesë e strategjisë për largimin sistematik të të gjitha objekteve të përkohshme që zënë në mënyrë të paligjshme sipërfaqe publike dhe që kufizojnë të drejtën e qytetarëve për një qytet të lirë, të rregulluar dhe të sigurt”, thonë nga Qytetit i Shkupit.

Sa i përket mos funksionimit të Luna Parkut, qytetarët, sidomos më të moshuarit thonë se qytetit i mungon një vend ku do të sillnin nipërit e mbesat të argëtohen.

“Sa me kujtohet ka dhjetë vite që thuan se do ta ndërtojnë por nuk filluan dhe shpresojmë që këtë here do ta ndërtojnë e sidomos për fëmijët”, tha një qytetar.

“Këtu dikur kishte park për fëmijë më herët, dhe kishte një lum, disa kafene e më pas u hapen diskotekat. A u mungon Luna Parku këtu? Edhe mua me mungon Luna Parku, edhe pse jam 80 vjeçar pasi me nipërit vija këtu”, u shpreh një qytetar tjetër.

Në vitin 2022, në njërën nga diskotekat ku sot filloi rrënimi, ndodhi edhe vrasja e hendbollistit kroat Denis Tot i cili u sulmua fizikisht nga tre persona të cilët u shpallën fajtorë dhe u dënuan për vrasje. / Alsat.mk

Trending