Tre stjuardesa u plagosën rëndë nga turbulencat në një fluturim të United Airlines më 10 shkurt 2024, pasi pilotët nuk u paralajmëruan për kushtet e paqëndrueshme të ajrit që ishin raportuar nga një avion tjetër para tyre, sipas një raporti përfundimtar të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB), publikuar të martën.
Fluturimi United 1890 po udhëtonte nga Los Anxhelosi drejt Newark-ut kur avioni Boeing 777 hyri në turbulenca të forta gjatë uljes. NTSB konkludoi se, edhe pse në zonë parashikoheshin stuhi, radarët e avionit nuk treguan aktivitet të dukshëm turbulencash.
Në momentin e incidentit, sinjali për vendosjen e rripave ishte i ndezur dhe stjuardesat po kryenin kontrollet përfundimtare në kabinë, kur avioni papritur ra dhe më pas u ngrit me forcë.
Një stjuardesë u përplas në tavan dhe më pas u rrëzua në dysheme, duke pësuar thyerje të shtyllës kurrizore. Dy të tjera humbën ndjenjat: njëra pësoi thyerje të femurit dhe dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore, tjetra pati dëmtime në fytyrë dhe hemorragji cerebrale.
Gjithashtu, disa pasagjerë pa rrip sigurimi, përfshirë një foshnjë në prehër dhe një person në tualet, u përplasën në tavan.










