Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të liderëve të koalicionit VLEN, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, të cilët e “akuzuan” diplomacinë shqiptare për përfshirje në debate partiake në vend, shkruan gazeta KOHA.
Në një status në Facebook, Meidani theksoi se qasja e Shqipërisë nuk lidhet me politikën ditore, por me politika shtetërore dhe strategjike, duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mbështetet në parime të qarta.
“Ne nuk bëjmë politikë ditore, por shtetërore. Biem dakord vetëm kur jemi në të njëjtën linjë për garantimin e të drejtave, respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe për të ecur krah për krah drejt Evropës”, ka shkruar ambasadori shqiptar.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës së kryetarit të Tetovës dhe njërit prej liderëve të VLEN-it, Bilall Kasami, i cili në emisionin “Click Plus” u shpreh se ambasadori i Shqipërisë nuk duhet të përfshihet në debatet politike e partiake në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, sipas të cilit Qeveria e Shqipërisë dhe ambasadori Meidani duhet të qëndrojnë mbi politikën ditore në vend.
Përplasja mr deklarata vjen pas fushatës “Fol shqip” që ambasadori Meidani e nisi si mbështetje për kërkesën e studentëve shqiptarë të Drejtësisë, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip. Më i ashpër ndaj ambasadorit shqiptar ka qenë ish-kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili nuk është përmbajtur edhe nga ofendime të turpshme ndaj përfaqësuesit të shtetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)










