Sekretari organizativ i ASH-së, Gadaf Uzairi nëpërmjet një publikimi në facebook ka bërë një thirje për reflektim deri te Arben Taravari, informon portal “tetova1”.
Në publikimin në facebook Uzairi shkruan:
“Pas një mbledhjeje të gjatë dhe debatesh të forta brenda Aleancës për Shqiptarët, ndjej si obligim moral dhe politik t’i drejtohem publikisht kryetarit tonë Arben Taravarit , me një thirrje të sinqertë për reflektim.
I nderuar kryetar, Aleanca për Shqiptarët nuk është ndërtuar brenda një dite. Ajo është ngritur me shumë mund, sakrificë dhe besim nga anëtarët, aktivistët dhe qytetarët që kanë parë tek ne shpresën për ndryshim. Sot, kjo shpresë ka nevojë të ruhet dhe të forcohet.
Koha kërkon mençuri, maturi dhe zemërgjerësi për të krijuar një frymë të re bashkimi. Njerëzit presin nga ne pjekuri politike, unitet dhe vendime që e çojnë përpara partinë, jo që e lodhin atë!
Është e vërtetë se gjendemi në një krizë të thellë brenda partiake. Kohëve të fundit kemi pasur shumë përplasje dhe kjo ka lënë gjurmë te anëtarësia dhe te qytetarët që na besojnë. Pikërisht për këtë arsye, besoj se nuk kemi luksin të bëjmë “sallto mortale” politike, sepse rrezikojmë të vrasim edhe atë pak shpresë që ka mbetur.
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për reflektim, qetësi dhe vendime që bashkojnë. Vetëm kështu mund ta rikthejmë besimin dhe të krijojmë një frymë të re që do ta mbajë Aleancën të fortë dhe të denjë për sakrificat mbi të cilat është ndërtuar”, përfundon reagimi i Uzairit.
Ky reagim I Uzairit vjen vetëm disa ditë pas dorëheqjes së sekretarit general të ASH-së, Blerant Ramadanit!/tetova1/










