Trendy

Instruktorët kërkojnë testin e licencimit në shqip: “Jo më premtime, por zgjidhje urgjente”

Para 4 javë

Një grup instruktorësh të auto-shkollave ka dërguar një kërkesë publike në redaksinë e gazetës KOHA, duke shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë serioze për mosofrimin e testit profesional për marrjen e licencës në gjuhën shqipe.

Sipas tyre, prej pesë vitesh është premtuar që testi për licencimin e instruktorëve të ofrohet edhe në shqip, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por ky zotim ende nuk është realizuar. Ata theksojnë se situata bëhet edhe më shqetësuese tani kur testi pritet të mbahet këtë vit dhe afati po afrohet, ndërsa kandidatët shqiptarë vazhdojnë të përballen me trajtim të pabarabartë.

“Tani, kur testi do të mbahet këtë vit dhe afati është i afërt, situata bëhet edhe më shqetësuese. Kandidatët shqiptarë po përballen me padrejtësi dhe trajtim të pabarabartë, pasi testi për licencë për instruktorë vazhdon të mos ofrohet në gjuhën shqipe. Kërkojmë zgjidhje urgjente para mbajtjes së testit dhe marrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që kjo e drejtë ligjore të respektohet pa shtyrje të mëtejshme”, thuhet në kërkesë.

Instruktorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete nga institucionet përgjegjëse përpara mbajtjes së testit, në mënyrë që e drejta ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe të respektohet pa shtyrje të mëtejshme. Ata nënvizojnë gjithashtu se, sipas tyre, as pesë vite më parë dhe as tani nuk kanë pasur mbështetje efektive nga përfaqësuesit politikë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Për këtë arsye, grupi i instruktorëve ka vendosur ta bëjë publik shqetësimin përmes mediave, duke kërkuar përgjigje zyrtare dhe veprim konkret nga institucionet kompetente, e jo vetëm premtime. (koha.mk)

Trending