Policia në Nuremberg të Gjermanisë ka zbuluar një mashtrim në shkallë të gjerë që ka të bëjë me testet e gjuhës gjermane dhe shtetësisë. Supozohet se të dyshuarit kanë marrë para për të dhënë testet e gjuhës dhe shtetësisë për persona të tjerë.
Pra, fjala është për një rrjet të dyshuar mashtruesish, të cilët i kanë ndihmuar migrantët të marrin shtetësinë dhe lejeqëndrimin gjerman në këmbim të pagesës.
Hetuesit e Nurembergut kanë zbuluar disa raste që nga tetori i vitit 2025. Kjo ishte skema e mashtrimit: Njerëzit që nuk ishin në gjendje të kalonin testet e kërkuara, kontaktonin një “ndërmjetës” në Nuremberg, një burrë 39-vjeçar irakian. Për 6000 euro, ai dërgonte një njeri tjetër që e njeh mirë gjuhën gjermane me dokumente identiteti të falsifikuar për testin e gjuhës dhe shtetësisë së klientit të tij.
Hetimet aktuale përfshijnë tërë territorin e Gjermanisë. Pritet se do të zbulohen shumë raste të mashtrimeve të tilla në mbarë vendin. Dy të dyshuar janë aktualisht në paraburgim.





