Budapesti rezulton të jetë destinacioni më i shpeshtë i avionit qeveritar. Plot shtatë fluturime janë realizuar drejt kryeqytetit të Hungarisë në periudhën nga formimi i qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski, respektivisht nga qershori 2024 deri në dhjetor 2025, raportoi Televizioni Telma duke iu referuar dokumenteve të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qeveri, përcjell tetova1
Nga ministrat, avionin qeveritar më së shumti e ka përdorur ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikoloski. Ai ka realizuar 11 fluturime, prej të cilave gjashtë drejt Budapestit.
Sipas raportimit, ka pasur edhe një rast kur avioni qeveritar është dërguar për servis në qytetin gjerman Nuremberg më 12 janar të vitit të kaluar. Prej andej ka fluturuar drejt Budapestit, ku ka marrë Nikolloskin dhe më pas është kthyer në Shkup. Ministri ka udhëtuar gjithashtu drejt Londrës, Pragës, Vjenës, si dhe në relacionin Shkup–Stamboll dhe anasjelltas, por jo drejtpërdrejt në Shkup, pasi është ndalur fillimisht në Ohër.
Më shumë se Nikolloski, avionin qeveritar e ka përdorur vetëm presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila ka realizuar 13 fluturime. Ajo ka udhëtuar në rajon drejt Tivatit, Podgoricës dhe Tiranës, si dhe në Romë, Stamboll dhe Kopenhagë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e ka përdorur avionin shtatë herë. Për një fluturim nga Shkupi drejt Xhedës në Arabinë Saudite, si përdorues figuron “kryetar i Kuvendit”, por në listë nuk ka të dhëna për pasagjerët.
Kryeministri Mickoski e ka shfrytëzuar avionin tre herë: një herë për në Budapest dhe më 10 gusht të vitit të kaluar për në Split. Në atë periudhë, mediat raportuan se ai do të kalonte disa ditë pushimi në Kroaci. Ai ka udhëtuar edhe drejt Tiranës. Për një fluturim nga Shkupi në Beograd figuron si përdorues “kryetar i Qeverisë”, por pa të dhëna për pasagjerët.
Po aq sa kryeministri, avionin e ka përdorur edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili ka udhëtuar drejt Roterdamit, Beogradit dhe Strasburgut. Në një rast ka fluturuar edhe për në Pragë, por udhëtimi është organizuar nga Ministria e Energjetikës, Transportit dhe Bujqësisë.
Dy fluturime të organizuara nga Ministria e Jashtme kanë qenë për qëllime të tjera: një për transportimin e të lënduarve nga zjarri në Koçan dhe një tjetër për evakuimin e qytetarëve nga Izraeli.
Nga dokumentet, siç thekson Telma, rezulton se me “lirxhetin” qeveritar ka fluturuar edhe ministrja e Energjetikës, Bozhinovska, një herë drejt Beogradit dhe një herë drejt Pragës. Në Budapest ka udhëtuar edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, së bashku me katër persona të tjerë. Në një fluturim drejt Londrës kanë qenë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe ish-ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti.
Sipas të dhënave, në një periudhë prej një viti e gjysmë – nga mesi i vitit 2024 deri në fund të vitit 2025 – avioni qeveritar është përdorur rreth 40 herë, pa përfshirë fluturimet për servis dhe dy fluturimet speciale, atë mjekësor dhe për evakuim. Gjatë kësaj periudhe, avioni është servisuar nëntë herë./tetova1.mk










