Trendy

ASH reagon për thirrjet raciste antishqiptare: Dinjiteti i shqiptarëve nuk negociohet

Para 4 orë

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër pas incidenteve në ndeshjen mes FK Vardar dhe KF Bashkimi, duke e cilësuar dhunën si turp dhe si dëshmi të dështimit institucional në organizimin dhe sigurimin e ngjarjeve sportive. Partia kërkon hetim të plotë, ndëshkim të përgjegjësve dhe masa të rrepta nga organet kompetente, ndërsa i bën thirrje koalicionit VLEN të mos fshihet dhe të marrë përgjegjësi për, siç thotë, normalizimin e incidenteve dhe thirrjeve të urrejtjes.

Reagimi i plotë:

Dhuna në Vardar – Bashkimi, Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi dhe fund të heshtjes institucionale, VLEN të mos fshihet

Ajo që ndodhi në ndeshjen Vardar – Bashkimi është turp dhe sinjal i qartë se futbolli në Maqedoninë e Veriut po rrëshqet drejt dhunës dhe urrejtjes. Përleshjet në fund të ndeshjes dhe atmosfera e tensionuar në tribuna tregojnë dështim të plotë të organizimit, sigurimit dhe menaxhimit institucional.

Aleanca për Shqiptarët e dënon pa rezervë çdo formë dhune në fushë dhe jashtë saj. Stadiumi nuk është vend për përleshje, provokime dhe thirrje që poshtërojnë qytetarë mbi baza etnike. Kjo nuk është “tifozeri”, kjo qasje provinciale është rrënim i rendit publik dhe nxitje e urrejtjes ndëretnike.

Kërkojmë menjëherë:

1. Hetim të plotë për incidentet në fushë dhe në tribuna;

2. Identifikim dhe ndëshkim për organizatorët, provokatorët dhe çdo person që ka nxitur dhunë e urrejtje;

3. Masa të rrepta nga organet sportive dhe institucionet e sigurisë, përfshirë përgjegjësi konkrete për dështimin e kontrollit.

Në këto rrethana, VLEN mos të sillet sikur kjo është hera e parë: Prilepi (1 nëntor 2025) dhe Kumanova (31 mars 2025; 2 gusht 2025) janë shembuj të mjaftueshëm se thirrjet e urrejtjes dhe incidentet janë përsëritur, dhe ende pa epilog. Më e keqja është se edhe kur, në një nga këto skandale ka qenë prezent shefi juaj Mickoski, ju zgjodhët ta relativizoni dhe ta mbroni atë, në vend se të kërkoni përgjegjësi reale.

Kur duhen veprime dhe presion institucional, ju të VLEN-it shfaqeni të pafuqishëm. Kur shqiptarët poshtërohen në publik, ju heshtni ose dilni me fjali të buta, pa asnjë rezultat. Kjo “qeverisje” që e keni reklamuar është bërë sinonim i impotencës politike: shumë dekor, zero ndikim.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që urrejtja të normalizohet dhe as që heshtja të shitet si mençuri. Dinjiteti i shqiptarëve nuk negociohet.

Trending