Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim pune me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ku në fokus ishin investimet aktuale dhe projektet strategjike që po realizohen në Tetovë.
Sipas njoftimit të publikuar nga Kasami, gjatë takimit u diskutua për disa projekte konkrete që ndodhen në faza të ndryshme realizimi, përfshirë rindërtimin e tubacionit kryesor nga Kodra e Diellit deri në qytet, zgjerimin e rrjetit primar në vendbanimin “Jashtë Vardarit”, si dhe ndërtimin e kolektorëve për kanalizim atmosferik në Falisht dhe Dardani.
Temë e veçantë e bisedimeve ishin edhe projektet e financuara nga **Banka Evropiane e Investimeve** dhe **Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim**, të cilat përfshijnë fazën e dytë të rindërtimit të ujësjellësit dhe ndërtimin e Stacionit të Transferimit të mbetjeve në Tetovë.
Gjithashtu, palët diskutuan për projektet në kuadër të instrumentit IPA, ku pritet nënshkrimi i kontratave për ndërtimin e stacionit për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit.
Në përfundim të takimit, u theksua angazhimi për bashkëpunim të ngushtë institucional, me synimin që projektet të realizohen me efikasitet dhe transparencë, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët e Tetovës.





