Dizajneri grafik Florin Hasani, autor i logos së Aleanca për Shqiptarët, ka reaguar publikisht mbi ndarjet e fundit brenda subjektit politik, duke e lidhur simbolikën e logos me zhvillimet aktuale në parti, përcjell Zyrtare.net.
Në një shkrim reflektues, Hasani kujton se logon e kishte dizajnuar në nëntor të vitit 2016, duke përdorur vija minimale për të krijuar një simbol që përfaqëson shqiponjën dykrenare të flamurit kombëtar shqiptar. Sipas tij, fjala “Aleanca” përcaktoi ngjyrat, ndërsa “Shqiptarët” simbolikën, duke i dhënë formën përfundimtare identitetit vizual të partisë.
Ai shprehet se nuk e kishte imagjinuar që “dy krerët” e shqiponjës në logo një ditë do të simbolizonin dy drejtime të kundërta politike brenda partisë, e aq më pak që edhe “krahët” e poshtëm do të ndaheshin, duke reflektuar fragmentimin aktual në katër grupacione.
“Sot, me katër grupacione, duket sikur kam arritur realizimin e plotë grafik të logos”, shkruan Hasani, duke shtuar se tash ka vetëm dy mundësi: ose logoja ka skaduar dhe kërkon identitet të ri, ose nëse vazhdohet me të njëjtën, “kompozicioni më shumë se katër pjesë nuk lejon”.
Ai e mbyll reagimin me një mesazh kritik: “Nganjëherë dizajni është vizion. Nganjëherë është parashikim. Në rastin e Aleancës, tragjedi.”/Zyrtare.net











