Më 16 mars 2025, në zjarrin që shpërtheu në diskotekën “Puls” në Koçan, humbën jetën 63 persona, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën. Kjo tragjedi e ndau përgjithmonë kohën në “para” dhe “pas” për qytetin dhe për gjithë Maqedoninë.
Hetimet zbuluan se klubi kishte funksionuar ilegalisht për më shumë se një dekadë, pa kushte minimale teknike, pa leje dhe pa standarde bazë kundër zjarrit. Atë natë fatale, mjetet piroteknike e përfshinë nga flakët tavanin e mbuluar me material lehtësisht të djegshëm, ndërsa zjarri u përhap brenda pak sekondash në të gjithë objektin.
Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 34 personave fizikë dhe tre personave juridikë për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Mes të akuzuarve ka pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë komunash dhe zyrtarë shtetërorë.
Procesi gjyqësor nisi më 19 nëntor 2025 në Shkup, ndërsa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Gjykimi po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve.
Gjatë këtij viti, prindërit dhe familjarët e viktimave kanë vazhduar betejën për drejtësi përmes “Marshit të Engjëjve”, i cili është mbajtur çdo të shtunë në Koçan dhe në Shkup.
Për përvjetorin e tragjedisë, në Koçan po organizohet një program përkujtimor nga 14 deri më 16 mars, me shërbesa fetare, memorialin “Ëndrra të papërfunduara”, instalacionin simbolik “63 karrige të bardha – 63 jetë”, si dhe një tubim në 02:15, ora kur shpërtheu zjarri.










