Infrastruktura e vjetruar dhe kapacitetet e kufizuara të ndërmarrjeve publike komunale janë pjesë e problemeve kryesore që ndikojnë në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve. Prandaj nevojiten modele të reja organizimi të sektorit të ujit. Bashkimi i komunave dhe ndërmarrjeve për ofrimin e shërbimeve të ujit, po shqyrtohet si qasje e mundshme për përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e shpenzimeve. Kjo parashikohet edhe me projektin „Mbështetje për shërbime më efikase, të qëndrueshme dhe të sigurta të ujit në Maqedoninë e Veriut“, i cili po zbatohet nga një konzorcium i përbërë nga 4 kompani, mes të cilave është edhe kompania VE-VE Group. Bartës i projektit është “Hidrofil” nga Austria, ndërsa projekti financohet nga BE.
“Situata aktuale me sistemin e decentralizuar të 70 ndërmarrjeve për ofrimin e shërbimeve të ujit nuk është e qëndrueshme në afat të gjatë, duke pasur parasysh gjendjen e infrastrukturës ekzistuese, por edhe tendencat negative demografike që pamundësojnë angazhimin e ekspertëve të duhur në fushën e shërbimeve të ujit. Nëse i shtojmë faktin se vetëm 2% e të punësuarve në ndërmarrjet komunale, sidomos në sektorin e furnizimit me ujë, janë të rinj, dhe se mbi 40% duhet të pensionohen për disa vite, kjo e bën edhe më serioze situatën dhe nevojën për të kërkuar modele të reja reforme në këtë sektor, me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së ofrimit të shërbimeve,“ tha Jane Vrtevski – Menaxher i projektit.
“E kemi këtë projekt të financuar nga BE-ja, i cili synon zbatimin e reformave në sektorin e ujit, dhe mendojmë se një pjesë e madhe e problemeve do të tejkalohen përmes bashkëpunimit ndërmjet komunave. Maqedonia është vend i vogël dhe në vend që të ketë 60 ose 70 ndërmarrje të vogla, më mirë është që ato të bashkohen në 6-7 ndërmarrje. Përmes këtij projekti ne kemi përgatitur mjete dhe mënyra me të cilat do ta realizojmë këtë, dhe do ta arrijmë në mënyrën e duhur,” deklaroi At Sanen, Udhëheqës i ekipit të projektit.









