Trendy

Mickoski: Qeveria do të ulë TVSH-në për karburantet, Maqedonia do të ketë çmimet më të ulëta në rajon!

Para 6 orë

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se me masat e qeverisë, Maqedonia pritet të ketë çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, madje edhe në kushte të rritjes globale të çmimeve. Ai theksoi se Qeveria pret që Komisioni Rregullator të marrë në konsideratë vendimin për uljen e TVSH-së nga 18 në 10 përqind, gjë që nuk do të rezultojë në rritje të ndjeshme të çmimeve të benzinës, ndërsa dizeli do të lëvizë brenda llogaritjeve të planifikuara, transmeton Portalb.mk.

“Çmimi i benzinës do të sillet nga 1.37 në 1.44 euro për litër, ndërsa i dizelit nga 1.52 në 1.55 euro për litër, që është çmimi më i ulët në rajon deri tani”, tha Mickoski.

Ai bëri një krahasim me vendet fqinje, duke theksuar se në Serbi benzina arrin 1.83 euro për litër, dizeli rreth 1.8 euro, në Kroaci deri në 2 euro, ndërsa në Greqi dhe Shqipëri çmimet janë rreth 1.9 euro për litër.

Sipas kryeministrit, pikërisht për shkak të çmimeve më të ulëta në Maqedoni, është vërejtur presion i shtuar nga qytetarët e vendeve fqinje që vijnë për të mbushur karburant, gjë që ka rritur konsumin me rreth 9 përqind, ose 150.000 litra shtesë në ditë.

Presioni më i madh, siç tha ai, është në komunat kufitare si Dibra, Struga dhe Ohri në kufirin perëndimor, si dhe Manastiri dhe Gjevgjelia në jug dhe Kumanova në veri.

Mickoski deklaroi se Qeveria pret stabilizim të çmimeve, pa pritur rritje të benzinës, dhe çdo korrigjim i mundshëm në naftë do të jetë minimal.

“Me këto masa, ne po marrim pjesë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve nga buxheti”, tha kryeministri Mickoski.

Ai shtoi se masat do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme, duke filluar nga e hëna, me mundësinë e zgjatjes nëse është e nevojshme.

Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet ngushtë me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit. Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.

Trending