Trendy

Ja sa pritet nafta të shtrenjtohet nga mesnata në Maqedoninë e Veriut?

Para 3 orë

Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) pritet të marrë sot vendimin e ri për çmimin e karburanteve, i cili do të jetë i vlefshëm nga mesnata deri të martën e ardhshme. Ky vendim vjen pas lëvizjeve në bursat ndërkombëtare, por edhe pas ndërhyrjes së djeshme të Qeverisë për të zbutur rritjen e paralajmëruar, përcjell INA.

Kryeministri Hristijan Mickoski sqaroi se pa ndërhyrjen e shtetit, çmimi i dizelit do të rritej me 10.5 denarë, ndërsa i benzinës me 6 denarë. Për të parandaluar këtë goditje, Qeveria në një mbledhje të jashtëzakonshme vendosi të ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 18% në 10% për dy javët e ardhshme. Me këtë masë, parashikohet që çmimi i benzinës (95 dhe 98 oktan) të mbetet i njëjtë, ndërsa dizeli të shtrenjtohet vetëm për rreth 3.5 denarë për litër.

Për më tepër, pritet që Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, të negociojë me kompaninë OKTA për rritjen e zbritjes (rabatit) që kjo kompani u jep tregtarëve. Nëse ky negociatë rezulton e suksesshme, synohet që benzina të jetë deri në 3 denarë më lirë se çmimi maksimal i KRRE-së, ndërsa për dizelin synohet që çmimi të mbetet fare pa rritje, duke qëndruar në nivelin aktual prej 92 denarë. Mickoski theksoi se KRRE duhet të marrë parasysh këto vendime qeveritare për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve.(INA)

Trending