Trendy

38 përqind pozita drejtuese më pak në MPB, goditet përfaqësimi i drejtë!

Para 3 orë

Ministria e Punëve të Brendshme planifikon shfuqizimin e të gjitha pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave në të gjitha sektorët. Ministri i Brendshëm konfirmoi se ndryshimi vjen si rezultat i ligjit të ri për Ministrinë e Brendshme dhe ligjit të ri për policinë.

“Mendoj se numri i strukturës drejtuese në MPB do të ulet për diku 37-38%. Kjo do të thotë se më nuk do të kemi një numër shumë të madh të ndihmësve, zëvendësve, nën-kryeshefa, afër-kryeshefa, e kështu me radhë, të definuar paraprakisht. Dhe nuk do të kemi funksione vetëm për të pasur funksione, por do të ketë funksione që përveç të drejtave dhe benefiteve do të kenë edhe përgjegjësi konkrete për veprimet që sipas ligjeve do t’i kenë, veçanërisht kryeshefat”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Alsat jozyrtarisht mëson se personat e emëruar në pozitat e zëvendësve ose ndihmësve tashmë janë informuar dhe kanë marrë vendime për t’u kthyer në pozitat e mëparshme të punës. Një gjë është e qartë, që shfuqizimi i pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave godet përfaqësimin e drejtë etnik meqë shumë prej tyre për momentin janë shqiptarë. I pyetur se si do të sigurohet përfaqësimi i drejtë në pozitat drejtuese në MPB pas sistematizimit të ri, ministri i Brendshëm tha se pozitat nuk janë të rezervuara paraprakisht për përkatësi të caktuara etnike por për profesionistë të të gjithë etnive.

“Ligji, dhe sistematizimi në vete nuk nënkupton edhe përcaktim etnik. Secili që i plotëson kushtet, ka arsim, përvojë, aftësi të fituara paraprakisht në MPB, do të mund të aplikojë dhe të zgjidhet. Unë personalisht njoh një numër të madh të profesionistëve shqiptarë, turq, romë, boshnjakë, sigurisht edhe maqedonas, që do të mund të jenë pjesë e strukturës drejtuese në MPB dhe jam i sigurt se do të ketë edhe maqedonas, shqiptarë, turq, romë…”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Zv.ministri i Brendshëm Astrit Iseni një ditë më parë konfirmoi se përgatitet sistematizim i ri por tha se nuk do të japë detaje deri sa akti nuk është konkretizuar.

Për dallim prej ministrit Toshkovski, Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, tha se do të ruhet parimi i përfaqësimit të drejtë. Ai madje shtoi se në këtë kontekst, edhe ligji i ri, së shpejti do të kalojë në Kuvend.

“Absolutisht kemi nevojë për sistematizim të ri në shumë institucione dhe ai është proces normal që duhet të ndodhë kohë pas kohe sepse nevojat ndryshojnë, shprehitë ndryshojnë. Dhe që do të ketë përfaqësim të drejtë, për këtë askush të mos shqetësohet. Ligji mendoj se sot ose javën e ardhme do të kalojë në seancë qeveritare, do të jetë para deputetëve. Kështu që ne si qeveri nuk e kemi për qëllim të politizojmë asgjë që është e drejtë kushtetuese e dikujt”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Sistematizimi i ri prek disa nga sektorët kyç në nivel strategjik të ministrisë në nivel qendror duke ndryshuar radhitjen e tyre në organogramë ose duke u krijuar sektorë me emër krejtësisht të ri. Disa ndryshime ka edhe në organizimin e Sektorëve për Punë të Brendshme por edhe të Departamenteve për Punë të Brendshme ose stacioneve policore lokale. / Alsat.mk.

Trending