Trendy

Kostadinovski: Askush nuk do ta prek gjuhën shqipe

Para 3 orë

Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka deklaruar se po bëhen manipulime lidhur me çështjen e gjuhës shqipe, duke siguruar se kjo e drejtë nuk do të rrezikohet.

Në një intervistë për emisionin “Me fakte” në Televizionin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka rol mbrojtës ndaj të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe jo kufizues.

“Dua të bëj apel rreth kësaj çështjeje, pasi shoh se shumë po manipulohet. Askush nuk do ta prek gjuhën shqipe. Gjykata Kushtetuese ekziston për të ndihmuar të drejtat e garantuara, qofshin ato gjuhësore apo të përfaqësimit të drejtë, dhe assesi për t’i abroguar ato”, deklaroi Kostadinovski.

Ai hodhi poshtë pretendimet se ekziston rrezik për uljen e përdorimit të gjuhës shqipe, duke i cilësuar ato si të pasakta.

Sipas tij, të drejtat gjuhësore janë kategori kushtetuese dhe si të tilla nuk mund të cenohen nga vendimet e Gjykatës.

Kostadinovski shtoi se vendimet e institucionit që ai drejton do të kenë për qëllim lehtësimin e zbatimit praktik të këtyre të drejtave, duke kontribuar në funksionimin më efikas të sistemit juridik në vend.

Trending