Trendy

Marrëveshja e Kulturës, një hap larg shfuqizimit!

Para 5 orë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ngritur procedurë që do të shqyrtojë Marrëveshjen Kolektive për Kulturën është hapi i parë drejt shfuqizimit të Marrëveshjes Kolektive, anulimit, ose ndërprerjes së procedurës. Iniciativa për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Marrëveshjes Kolektive erdhi pas një viti të mbushur me akuza, padi mes Sindikatës së Punonjësve të Kulturës dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në lidhje me metodën e llogaritjes së pagave në këtë sektor. Nisjen e një procedure për të vlerësuar kushtetutshmërinë e saj në tërësi, SPKM e ka cilësuar si një goditje të rëndë, që cenon drejtpërsëdrejti të drejtat, pagat dhe vendet e punës të punonjësve të kulturës.

PSE GJYKATA VENDOSI TË VLERËSOJË KUSHTETUTSHMËRINË

Avokati Tomisllav Stefkov ngriti iniciativën për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Marrëveshjes Kolektive, ndërsa gjyqtarët në seancën e së mërkurës konstatuan se marrëveshja është në kundërshtim si me ligjet ashtu edhe me Kushtetutën. Sipas gjyqtares raportuese Tatjana Vasiq-Bozazhieva, është e diskutueshme që pagat janë llogaritur sipas Marrëveshjes Kolektive, dhe jo në përputhje me Ligjin për Kulturën. Lidhur me mungesat e paguara nga puna për trajnime të mëtejshme në vend ose jashtë vendit, gjyqtari Osman Kadriu theksoi se punonjësit e tjerë të sektorit publik nuk kanë përfitime të tilla si punonjësit në kulturë.

“Ne i bëmë doktoraturat jashtë vendit, kështu që nuk mund të mendonim për një pushim njëjavor të paguar, e lëre më për një pushim të paguar prej 3 vitesh. Cili vend me kapacitetet e veta mund t’i përballojë ngarkesa të tilla?”, tha Kadriu. Sipas gjyqtares Dobrilla Kacarska, nuk ka asgjë antikushtetuese. “Marrëveshja u finalizua në vitin 2019 kur detyrimi për të kërkuar pëlqim nga Ministria e Financave nuk ekzistonte. Rregullorja u miratua në vitin 2020, dhe aq më tepër në vitin 2022, kjo gjykatë, me vendimin e saj, shfuqizoi nenin 2, paragrafi 2, rreshti 6 i Rregullores”, tha Kacarska.

Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim përfundimtar në periudhën e ardhshme. Nga ana tjetër, Sindikata deklaron se gjyqtarëve iu janë paraqitur informacione të pasakta. “Sipas dezinformatave që i janë paraqitur Gjykatës Kushtetuese, paga më e ulët është 45 mijë denarë. Kush po e gënjen Gjykatën dhe pse opinioni vazhdimisht ushqehet me informacione të pasakta për pagat e punonjësve të kulturës? Informacioni për pagat është i disponueshëm publikisht dhe lehtësisht i verifikueshëm”, thuhet në reagim. Ata paralajmërojnë protesta javën e ardhshme dhe dhe gjithashtu organizimin e një proteste të përgjithshme në kulturë në muajin maj.

SA ËSHTË PAGA MË E LARTË DHE MË E ULËT

Paga më e ulët në kulturë (Pastruese, punojës kaldaje, mirëmbajtje) – 32.217 denarë si paga bazë më e ulët në kulturë (e paraqitur si 45.000 denarë në Gjykatë.

Paga më e lartë në kulturë (balerin solist, aktor solist, këngëtar operistik solist, dirigjent)

Në vitin 2026 – 88.964 denarë.

Paga më e lartë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore (bibliotekar këshilltar, kurator këshilltar, konservator këshilltar, dokumentarist, filmolog, udhëheqës sektori)

2023 – 50.889 + 10% (5.088) = 55.977 denarë

2026 – 65.570 + 5.088 = 70.658 denarë

“Nëse analizohen vendet e punës dhe kategoritë në Marrëveshjen Kolektive, do të shihet se për shumicën e të punësuarve në kulturë edhe pas harmonizimit të fundit të pagës minimale, pagat lëvizin nga 35.mijë deri në 55 mijë denarë, pra brenda mesatares. Nëse kjo hiqet, do të rikthehet kaosi në paga dhe në vendet e punës”, thuhet në reagimin e SPKM. Sipas tyre, nga një sistem i rregulluar, kultura rrezikon të kthehet 30 vite pas. (koha.mk)

Trending