Trendy

Plani Urbanistik për ‘Jellak’, Kasami: Jemi duke bërë plan të ri

Para 3 orë

Në vazhdën e akuzave të VMRO-DPMNE-së lidhur me ndryshimet e Planit Detal Urbanistik në Tetovë gjatë kohës së kryetares Teuta Arifi, lidhur me lokacionin Shik Jellak, kreu i Tetovës Bilall Kasami theksoi se një ndër vendimet e para si kryetar ka qenë pezullimi i këtij plani, ndërsa tani janë në përgatitje e sipër për një plan që parashikon më shumë gjelbërim dhe hapësira për qytetarët.

“Bëhet fjalë për një plan urbanistik i cili përfundimisht krijonte edhe më shumë kaos sa i përket urbanizmit në Tetovë, ndërtimit, parkimit e kështu me radhë. Me ardhjen tonë, nga momenti i parë ndër vendimet e para të Këshillit Komunal të ri para 4 viteve ishte ndërprerja apo pezullimi i këtij plani dhe tanimë jemi në procedurë për miratimin e një plani të ri, i cili do të jetë konform nevojave të qytetit për më shumë hapësira publike, për më shumë hapësira të gjelbra për më shumë hapësira për të rinjtë dhe për të moshuarit tanë”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës.

Ndryshimi i planit urbanistik me qëllim që të ndërtohet një kompleks banesor në vlerë prej 200 milionë nga ana biznesmenit kontrovers serbo-malazes Miodrag Daka Davidoviq, sipas VMRO-DPMNE-së ka qenë për shkaqe korruptive. Partia në pushtet ngrit dyshime se i është premtuar kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev përqindje nga shitja e banesave në  vlerë prej 4 milionë euro.

“A është kjo arsyeja që LSDM dhe BDI, menjëherë pas formimit të qeverisë në vitin 2020, kanë bërë ndryshime në Planin Detal Urbanistik në Tetovë, me qëllim që t’i mundësohet Dakës realizim i këtij projekti ndërtimor? Dhe derisa LSDM dhe Filipçe nuk japin përgjigje konkrete lidhur me Zaevin dhe ryshfetin nga Daka, Zaev investon në plantacione në Afrikë… Prokuroria ta hetojë rastin”, thanë nga VMRO-DPMNE.

  • Shitja e pronës “Shik Jellak” për arsye korruptive
  • Ryshfetin nga Daka, Zaev e investon në Afrikë

Për akuzën e VMRO-DPMNE-së, nuk kanë reaguar as nga LSDM e as nga BDI./Alsat.mk.

Trending