Çmimet e karburanteve në Bashkimin Evropian kanë shënuar rritje të ndjeshme në javët e fundit, ku dizeli është shtrenjtuar dukshëm më shpejt se benzina. Këtë e tregojnë statistikat më të fundit evropiane, të ndikuara nga luhatjet energjetike dhe paqëndrueshmëria e tregjeve pas tensioneve të reja gjeopolitike në Lindjen e Mesme, përcjell tetova1
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian për fillimin e prillit, çmimi mesatar i një litri EuroSuper 95 në BE është rreth 1,87 euro, ndërsa dizeli ka arritur mbi 2,07 euro. Për krahasim, në fund të shkurtit benzina kushtonte rreth 1,64 euro, ndërsa dizeli rreth 1,59 euro për litër. Kjo nënkupton një rritje prej rreth 14–15% për benzinën dhe afro 30% për dizelin.
Dallimet mes vendeve anëtare mbeten të mëdha. Në njërën anë qëndron Holanda, ku dizeli arrin deri në 2,46 euro për litër, ndërsa çmime të larta raportohen edhe në Danimarkë, Gjermani, Finlandë dhe Belgjikë. Në anën tjetër është Malta, me dizelin më të lirë rreth 1,21 euro për litër, ndërsa çmime më të ulëta ka edhe në disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore.
Një situatë e ngjashme vërehet edhe te benzina: Holanda dhe Danimarka janë ndër më të shtrenjtat, ndërsa Malta mbetet më e lira. Në shumë vende të jugut dhe juglindjes së Evropës, çmimi i EuroSuper 95 mbetet nën 1,60 euro për litër.
Në këtë kontekst evropian, Maqedonia aktualisht pozicionohet nën mesataren e BE-së. Sipas vendimit të fundit të rregullatorit vendas më 7 prill, çmimi i EuroSuper BS-95 është 83,5 denarë për litër, BS-98 rreth 85,5 denarë, ndërsa dizeli shitet me 98 denarë për litër. I konvertuar në euro, kjo përkthehet në rreth 1,35 euro për BS-95, 1,38 euro për BS-98 dhe afërsisht 1,59 euro për dizelin.
Krahasuar me mesataren evropiane, çmimet në Maqedoni mbeten më të ulëta, veçanërisht për dizelin, ku diferenca tejkalon gjysmë euro për litër. Edhe benzina është nën mesataren e BE-së, megjithëse me një diferencë më të vogël.
Megjithatë, edhe pse aktualisht situata duket relativisht stabile, tregu vendas nuk është i izoluar nga zhvillimet globale. Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare dhe çdo ndërprerje e mundshme në furnizim mund të reflektohen shpejt edhe në tregun vendas, duke lënë hapësirë për pasiguri në periudhën në vijim./tetova1.mk










