Trendy

Mbi 3.200 udhëtarë nuk janë lejuar të hyjnë në Kroaci për shkak të sistemit të ri

Para 2 orë

Sistemi i ri evropian për hyrje dhe dalje sjell ndryshime të rëndësishme në pikat kufitare, duke rritur sigurinë, por edhe kohën e përpunimit të udhëtarëve, ka deklaruar Zoran Niçeno, ndihmësdrejtor i përgjithshëm i policisë dhe shef i administratës kufitare, për HRT, përcjell tetova1

Sipas tij, sistemi paraqet një avancim të dukshëm krahasuar me procedurat e mëparshme, pasi tani mblidhen edhe të dhëna biometrike nga çdo udhëtar, duke ulur mundësinë e keqpërdorimit të dokumenteve të huaja të udhëtimit.

Ai shtoi se teknologjia e re është e lidhur me disa baza të dhënash të sigurisë, mes tyre AFIS dhe NABIS, gjë që mundëson kontrolle më të shpejta dhe përdorimin e informacionit në hetime penale.

“Siguria është rritur ndjeshëm, ndërsa sistemi mundëson edhe ndërveprim më të mirë mes bazave të të dhënave biometrike”, theksoi Niçeno.

Megjithatë, regjimi i ri i kontrolleve ndikon edhe në ngadalësimin e qarkullimit të udhëtarëve. Një kontroll mesatarisht zgjat rreth 70 sekonda, ndërsa udhëtarët shpesh duhet të dalin nga automjetet për skanim biometrik, gjë që e ngadalëson më tej procesin e kalimit të kufirit.

Për këtë arsye, policia kufitare po vendos pajisje mobile për të përshpejtuar procedurat, veçanërisht në periudhat me fluks të madh, si fundjavat dhe sezoni turistik.

Edhe pse në disa pika kufitare ka pritje më të gjata, autoritetet theksojnë se kolonat nuk janë pasojë e drejtpërdrejtë e sistemit të ri, por përkojnë me udhëtimet festive dhe të fundjavës.

Që prej fillimit të zbatimit të sistemit, janë regjistruar miliona kontrolle dhe janë krijuar mbi një milion dosje udhëtarësh. Sipas të dhënave, vetëm dje 3.261 personave iu është refuzuar hyrja në Kroaci, kryesisht për shkak të tejkalimit të afatit të lejuar të qëndrimit në Bashkimin Evropian./tetova1.mk

Trending