Trendy

Bisedimet SHBA-Iran pa rezultat, Vance : Ne e bëmë të qartë se cilat janë vijat tona të kuqe

Para 1 ditë

Negociatat mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për arritjen e një marrëveshjeje që synon uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme kanë përfunduar pa rezultat, pas 21 orësh bisedimesh të zhvilluara në Islamabad.

Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance njoftoi se delegacioni amerikan është larguar nga negociatat pa një marrëveshje, duke theksuar se Uashingtoni kishte paraqitur “ofertën përfundimtare dhe më të mirë” për Teheranin. Sipas tij, SHBA kishte bërë të qarta “vijat e kuqe”, por nuk ishte arritur një angazhim i qartë nga pala iraniane, veçanërisht për heqjen dorë nga programi bërthamor.

“Ne po kthehemi në SHBA pa marrëveshje. Ky është një zhvillim më negativ për Iranin sesa për ne”, deklaroi Vance, duke shtuar se SHBA pret një përgjigje të qartë dhe afatgjatë mbi programin bërthamor iranian.

Nga ana tjetër, Irani e cilësoi dështimin e bisedimeve si pasojë e “kërkesave të paarsyeshme” të SHBA-së. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se ishte e qartë që në fillim se nuk mund të arrihej marrëveshje në një raund të vetëm negociatash, duke theksuar se kontaktet diplomatike me Pakistanin dhe vende të tjera të rajonit do të vazhdojnë.

Bisedimet, të ndërmjetësuara nga Pakistani, shënuan një nivel të rrallë diplomatik mes dy vendeve që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Delegacioni amerikan përbëhej nga J.D. Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa pala iraniane përfshinte figura të larta si kryetari i parlamentit Mohammad Baqer Ghalibaf dhe ministri i jashtëm Abbas Araghchi.

Negociatat kishin në fokus çështje kyçe si programi bërthamor iranian, heqja e sanksioneve, situata në Ngushticën e Hormuzit dhe përfundimi i konfliktit në rajon. Megjithatë, dallimet mes palëve mbetën të thella, sidomos lidhur me kërkesën e SHBA-së për një garanci të plotë se Irani nuk do të zhvillojë armë bërthamore.

Trending