Trendy

Trump merr mbështetje nga aleatët: Vendet e NATO-s do ndihmojnë SHBA për të hapur Hormuzin!

Para 6 orë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se NATO mund të përfshihet në operacione në Ngushticën e Hormuzit, në një kohë kur tensionet me Iranin mbeten të larta dhe situata në rajon konsiderohet e brishtë.

Në një intervistë për Fox News, Trump e përshkroi fazën përfundimtare të bisedimeve me Iranin si “shumë miqësore”, por njëkohësisht paralajmëroi mundësinë e ndërhyrjeve ushtarake.

“Do të bllokojmë Ngushticën e Hormuzit, do të duhet pak kohë”,deklaroi ai, duke shtuar se operacionet për pastrimin e zonës nga minat detare pritet të realizohen brenda një periudhe të shkurtër.

Sipas tij, në këtë operacion mund të angazhohen edhe vende aleate. Trump përmendi NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtete të tjera, të cilat pritet të kontribuojnë me mjete detare për të garantuar sigurinë në këtë pikë strategjike.

Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se një paralajmërim i bërë prej tij në rrjetet sociale kishte ndikuar në rikthimin e negociatorëve iranianë në tryezën e bisedimeve, duke ushtruar presion ndaj Teheranit.

Ai theksoi se pala iraniane nuk është tërhequr nga negociatat dhe shprehu bindjen se një marrëveshje është e mundshme. “Parashikoj që ata të kthehen dhe të na japin gjithçka që duam,” u shpreh Trump.

Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të energjisë.

Trending