Ali Ahmeti sërish ka zgjedhur t’u shkruajë miqve ndërkombëtarë, duke u ankuar për gjuhën shqipe në Maqedoni dhe për faktin se BDI nuk është më pjesë e qeverisë. Në një kolumnë të tij me titull “EPSTEIN-at e politikave shqiptare”, ish-diplomati Muhamed Halili përshkruan se Ahmeti, i ulur pranë gurit të mullirit në Zajas dhe i shoqëruar me tingujt e çiftelisë, u kujton udhëheqësve botërorë të dikurshëm dhe të sotëm se dikur me luftë rrëzoi PPD-në e PDSH-në, ndërsa sot BDI-në e ka rrëzuar një parti e re – VLEN.
Halili e cilëson këtë veprim si xhelozi, duke kujtuar se Ahmeti i shkroi edhe Donald Trump-it për gjuhën shqipe, në kohën kur ai ishte i preokupuar me kriza globale. Sipas tij, arsyeja është se Trump ftoi Vjosa Osmanin dhe Edi Ramën në Bordin e Paqes, por harroi Ali Ahmetin, megjithëse ky i fundit pretendon të jetë “patriot”, proamerikan dhe reformator.
Në kolumnë përmendet edhe fakti se Ahmeti ka blerë një ndërtesë pesëkatëshe në Tetovë për selinë e BDI-së, duke e paraqitur si shembull të “parelisë” së tij. Halili e përshkruan gjithë këtë si një shfaqje të një lideri të mbetur pa pushtet, që përmes letrave dhe kujtimeve të vjetra përpiqet të rikthejë vëmendjen ndërkombëtare, ndërkohë që realiteti politik në vend ka ndryshuar.









