Trendy

Fazat e zhvillimit të qendrave islame të mërgatës shqiptare në Zvicër

Para 3 orë

Mund të identifikojmë tre faza të zhvillimit të qendrave islame -xhamive të mërgatës shqiptare muslimane në Zvicër:

-THEMELIMI: Kjo fazë fillon në vitin 1987 në shekullin e kaluar, kur shqiptarët e themelojnë qendrën e parë islame shqiptare në Cyrih të Zvicrës. Më pas vazhdoi themelimi i qendrave islame shqiptare gjithandej në Zvicër. Duhet theksuar se kjo faze ende nuk ka përfunduar, pasi ende vazhdon themelimi i qendrave islame shqiptare. Për atë, këto faza që do t’i përmendim, deri në këtë kohë kur e kemi prezantuar këtë kumtesë, nuk janë të ndara në mënyrë kategorike, por janë vetëm si një shpjegim orientues, ngase ndërhynë me njëra-tjetrën.
Në këtë drejtim, Sali Bajrami nga Kumanova shprehet: “Xhamia e parë e themeluar prej shqiptarëve në Zvicër, ka qenë ajo e Cyrihut e regjistruar me emrin “Bashkësia Islame Shqiptare (Albanisch-Islamische Gemeinschaft) në objektin e marrë me qira në rrugën “Badenerstrasse 262”, në Cyrih (Zürich). Më 1 Prill 1987, së pari herë filluam të falemi në xhaminë e themeluar nga shqiptarët në Cyrih. Më duhet të theksoj se për Ramazan, ka pasur organizime edhe para xhamisë së Cyrihut, por kanë qenë jo të legalizuara, jo zyrtare, dhe kanë shërbyer vetëm për Ramazan. Imam në këtë xhami, pra imami i parë, në xhaminë e parë të themeluar nga shqiptarët në Cyrih, ka qenë Usame Xhemaili nga Shkupi ”.

-PRONËSIMI: BLERJA DHE NDËRTIMI I XHAMIVE: Kjo fazë fillon me vitin 1999 në shekullin e kaluar, kur shqiptarët muslimanë në Zvicër e blejnë objektin e parë të cilin e shndërrojnë në xhami.
Më pas, ka vazhduar blerja dhe ndërtimi i qendrave islame gjithandej në Zvicër.

Gjendja momentale e xhamive të mërgatës shqiptare muslimane në Zvicër, ndërtuara nga themeli dhe të blera:
Xhamitë e mërgatës shqiptare në Zvicër – anëtare të KMSHZ-së, të blera
(Gjithsej: 34 xhami)
1. Bashkësia Islame “Bashkimi” Buchs – Xhamia Bashkimi (SG)
2. Bashkësia Islame “Ikre” – Bernë (BE)
3. Bashkësia Islame Al-Shems në Rebstein – Xhamia Al-Shems (SG)
4. Bashkësia Islame El-Hidaje në St. Gallen – Xhamia El-Hidaje (SG)
5. Bashkësia Islame Gebensdorf/Baden në Gebensdorf (AG)
6. Bashkësia Islame Langenthal (BE)
7. Bashkësia Islame – Regensdorf (ZH)
8. Bashkësia Islame Shqiptare – Xhamia e Cyrihut (ZH)
9. Bashkësia Islame Shqiptare – Xhamia “Hëna e Re”, Kreuzlingen (TG)
10. Bashkësia Islame Shqiptare – Xhamia Sunna, Dietikon (ZH)
11. Bashkësia Islame Shqiptare Winterthur – Xhamia e Madhe, Winterthur (ZH)
12. Bashkësia Shqiptare Islame në Altendorf – Xhamia Altendorf (SZ)
13. Bashkësia Kulturore Islamo-Shqiptare Flums – Xhamia Flums (SG)
14. Fondacioni i Rinisë Islame – Xhamia Shqiptare në Seebach, Cyrih (ZH)
15. Komuniteti Shqiptar Mysliman në Bienne – Xhamia “Ebu Bekër Es-Siddik”, Biel/Bienne (BE)
16. Oaza – Bashkësia Islame Spreitenbach – Xhamia Oaza (AG)
17. Qendra Islame Ballkanike në Sion (VS)
18. Qendra Islame në St. Imier (BE)
19. Qendra Islame Shqiptare Mekka – Schaffhausen (SH)
20. Qendra Islame Shqiptare Renens (VD)
21. Qendra Islame Kulturore Shqiptare Dituria – “Xhamia Dituria”, Gjenevë (GE)
22. Qendra Kulturore Islame “Ikre” – Thun (BE)
23. Qendra Kulturore Islame LU, OW, NW – Xhamia Drita (LU)
24. Qendra Kulturore Shqiptare Islame – Visp (VS)
25. Qendra Kulturore Shqiptaro-Zvicerane – Xhamia Uniteti në Au (ZH)
26. Qendra Kulturore Shqiptaro-Zvicerane – “Xhamia e Bardhë”, Aarburg (AG)
27. Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë (VD)
28. Shoqata e Bashkësisë Islame Shqiptare – Xhamia Shqiptare në Salmsach (TG)
29. Shoqata Kulturore “Kërçova” – Filinsdorf (BL)
30. Shoqata Kulturore Islame Shqiptare – Xhamia e Wetzikonit (ZH)
31. Shoqata Kulturore “Paqja” në Bazel (BS)
32. Xhamia “Drita” në Pratteln (BL)
33. Xhamia “Xheneti” në St. Gallen (SG)
34. Xhamia Shqiptare në Solothurn (SO)

Xhamitë e mërgatës shqiptare në Zvicër – anëtare të KMSHZ-së, të ndërtuara nga themeli
(Gjithsej: 8 xhami)
1. Bashkësia Islame në Frauenfeld – Xhamia “Mesxhidi Nur” (TG)
2. Bashkësia Islame Shqiptare – “Xhamia Ebu Hanife” në Grenchen (SO)
3. Bashkësia Islame Shqiptare – Xhamia e Glarusit në Netstal (GL)
4. Bashkësia Islame Shqiptare – “Xhamia Tulipan” në Reinach (AG)
5. Bashkësia Islame Wil – Xhamia Wil (SG)
6. Bashkësia Kulturore Islame Shqiptare e Friburgut – Xhamia Shqiptare në Tafers (FR)
7. Shoqata Kulturore Islame Winterthur – Xhamia Shqiptare Winterthur (ZH)
8. Xhamia Buhara në Sulgen (TG)

Xhamia e parë e blerë nga mërgata shqiptare muslimane në Zvicër është xhamia e Cyrihut-Bashkësia Islame Shqiptare, “Rautistrasse 58”, në Cyrih. Blerja e xhamisë është bërë me 1.04.1999, dhe ka poseduar hapësirë prej 500 metra katrorë.
Ndërkaq, xhamia e parë e ndërtuar nga themeli nga ana e mërgatës shqiptare muslimane në Zvicër, është xhamia (Bashkësia Islame Shqiptare) në Netstal të kantonit Glarus. Gurthemeli i kësaj xhamie është hedhur me 18.04.2015, ndërkaq hapja solemne e xhamisë është bërë me 30.04.2016.

-ZGJERIMI ME HAPËSIRA TË REJA: Kjo fazë fillon me vitin 2024 kur dy qendra islame të shqiptarëve në Zvicër blejnë hapësira të reja të cilat i venë në shërbim të qendrave aktuale, edhe atë:
-Bashkësia Islame Shqiptare në Cyrih e ka blerë edhe një hapësirë prej 640 metër katror, e cila është paraparë që një pjesë të shërbejë për xhaminë, ndërkaq pjesa tjetër të jepet me qira që të siguroj të ardhura për xhaminë.
-Xhamia e Bardhë në Aarburg, në vitin 2024 ka blerë një parcelë prej 800 metër katror, si dhe ka bërë një para kontratë edhe për një parcelë prej 800 metër katror, pra total 1.600 metër katrorë. Këto parcela janë të planifikuara për ndërtimin e parkingjeve në kate për nevojat e xhamisë, e po ashtu edhe për të dhënë parkingje me qira, që në Zvicër është një veprimtari shumë e leverdishme.
Disa objekte të blera për xhami, brenda hapësirave të objektit, kanë hapësira që shërbejnë për xhaminë, dhe hapësira që jepen me qira për të siguruar të ardhura për xhaminë.
Duhet nënvizuar se xhamia e Fondacionit të Rinisë Islame në Seebach të Cyrihut, që nga 2002 funksionon në një objekt, ku kati përdhesë është lënë për xhami, ndërkaq dy kate tjera janë banesa të cilat jepen me qira, dhe të ardhurar dedikohen për xhami. Kjo xhami posedon parcelë prej 700 metër katrorë, dhe objekt me podrum dhe me tre kate me nga 160 metër katrorë.
Po ashtu, bashkësia islame shqiptare në Au (ZH), në vitin 2025 kanë blerë objekt, një pjesë e të cilit shërben për xhami, ndërkaq pjesët e tjera jepen me qira.
Bashkësia Islame Shqiptare në Renens (VD), një pjesë të objektit e ka destinuar për xhami, dhe pjesët e tjera i ka të dhëna me qira.

Trending