Trendy

Vrau me armë nxënësit dhe mësuesen në shkollën e tij, zbardhet shkaku i vdekjes së vetë autorit 14-vjeçar! Detaje nga ekspertiza e trupit

Para 3 orë

Detaje të reja janë zbardhur nga raporti mjeko-ligjor për vdekjen e 14-vjeçarit Isa Aras Mersinli, autor i sulmit të përgjakshëm në një shkollë në Kahramanmaraş, Turqi, ku humbën jetën 9 persona dhe mbi 10 të tjerë u plagosën.

Sipas ekspertizës, i mituri ka humbur jetën si pasojë e një plage fatale të shkaktuar nga një objekt i mprehtë në këmbën e djathtë. Raporti thekson se objekti kishte një anë të mprehtë dhe një tjetër të topitur, ndërsa vdekja erdhi për shkak të hemorragjisë nga këputja e një ene të madhe gjaku.

Dokumenti mjeko-ligjor përshkruan në detaje gjendjen e trupit pas ngjarjes. 14-vjeçari rezulton të ketë qenë 1.79 metra i gjatë dhe me peshë rreth 85-90 kilogramë. Në trup janë konstatuar njolla të lehta në zona pa presion, si dhe gjurmë të shumta gjaku të tharë.

Një element që ka tërhequr vëmendje është fakti se në duart e tij janë gjetur qese najloni mbrojtëse, ndërsa në pjesën e shpinës janë evidentuar katër elektroda.

Paralelisht me raportin, dëshmitë e personave të pranishëm hedhin dritë mbi momentet e frikshme brenda shkollës. Një prej tyre, Nexhmetin Bekçi, kuzhinier në Drejtorinë e Rinisë dhe Sportit dhe baba i dy nxënësve, ka rrëfyer se ka shkuar me urgjencë në shkollë sapo dëgjoi të shtënat.

Ai tregon se ka hyrë nga dera e pasme dhe ka parë mësues dhe staf që përpiqeshin të neutralizonin autorin në shkallë. Sipas tij, edhe vetë ndërhyri duke përdorur një thikë për ta penguar të arratisej ose të sulmonte të tjerë.

“Qëllimi im ishte të mos lejoja të ikte dhe të mos dëmtonte njerëz të tjerë”, është shprehur ai.

Bekçi shton se për shkak të fizikut të zhvilluar, fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një person 25-30 vjeç.

Dëshmia përshkruan edhe situatën kaotike që mbizotëroi gjatë sulmit. Pas mbërritjes së policisë, ai është drejtuar menjëherë drejt klasave për të gjetur fëmijët e tij. Ai ka arritur të marrë vajzën, ndërsa djali i tij ka shpëtuar pasi ishte fshehur në tualet në momentin e të shtënave.

Trending