Trendy

S’ka paqe reale, armëpushimi Izrael–Liban shkelet menjëherë pas hyrjes në fuqi

Para 4 ditë

Një armëpushim 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit ka hyrë në fuqi në mesnatë, vetëm pak orë pasi u shpall nga presidenti amerikan Donald Trump.

Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar dhe jo plotësisht e qetë.

Pas më shumë se një muaji e gjysmë përplasje mes Izraelit dhe Hezbollah, armët pritej të pushonin, por menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes u raportuan incidente në jug të Libanit.

Ushtria libaneze foli për shkelje nga ana izraelite, duke përmendur sulme sporadike dhe goditje me artileri në disa zona.

Në jug të Bejrutit u dëgjuan edhe të shtëna armësh në momentin e armëpushimit, që besohet të kenë qenë reagime festive nga banorët.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka bërë të qartë se do të mbajë pozicionet e saj në jug të Libanit dhe ka paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë larg zonave pranë lumit Litani.

Autoritetet libaneze u kanë kërkuar banorëve të mos nxitojnë të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut.

Pavarësisht këtyre thirrjeve, shumë qytetarë kanë nisur kthimin drejt zonave të tyre, duke shkaktuar trafik të rënduar në rrugët kryesore.

Në të njëjtën kohë, Trump ka folur edhe për zhvillime të mundshme në raport me Iranin, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një marrëveshje të afërt, përfshirë çështjen e armëve bërthamore.

Trending