Trendy

Padi ndaj Blerim Bexhetit, dyshohet për keqpërdorim të mbi 42 milionë denarëve

Para 3 orë

Më 17.04.2026, Njësia për korrupsion pranë Sektorit për hetime kriminalistike në Departamentin për luftimin e krimit të organizuar dhe serioz ka paraqitur në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kallëzim penal kundër Z.D. (61) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” sipas nenit 353 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, si dhe kundër B.B. (49) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e së njëjtës vepër penale, të paraparë dhe të dënueshme sipas nenit 353 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 dhe në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.

Z.D., në cilësinë e personit zyrtar të autorizuar, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, i ka mundësuar një subjekti juridik nga fshati Krushopjek – Saraj, konkretisht një dege në kuadër të subjektit në fjalë, e vendosur në fshatin Gllumovë, në periudhën nga 01.02.2022 deri më 03.06.2022, të përfitojë dobi pasurore të kundërligjshme në shumën prej 3.224.064 denarësh (pa TVSH).

Ai, mbi bazën e autorizimit të dhënë nga kryetari i Qytetit të Shkupit për nënshkrimin e akteve në vitin 2021, i ka mundësuar subjektit juridik të përfitojë të drejtë, përkatësisht vendim për përcaktimin e regjimit të komunikacionit, si dhe mbi këtë bazë edhe autorizim për kryerjen e kontrollit teknik, megjithëse ishte i vetëdijshëm se kompetenca për lëshimin e një vendimi të tillë i takon Komunës së Sarajit dhe jo Qytetit të Shkupit, duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.

Më pas, B.B., në cilësinë e personit zyrtar të autorizuar – kryetar i Komunës së Sarajit, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, i ka mundësuar të njëjtit subjekt juridik të përfitojë dobi pasurore të kundërligjshme në shumën prej 42.851.205 denarësh. Ai, në periudhën nga tetori 2022 deri në mars 2023, në dy raste ka miratuar vendim për përcaktimin e regjimit të komunikacionit, si dhe vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për përcaktimin e regjimit të komunikacionit, mbi bazën e kërkesave të paraqitura nga kërkuesi (subjekti juridik në fjalë), pa kryer paraprakisht mbikëqyrjen e duhur mbi dokumentacionin e dorëzuar dhe pa konstatuar se ai nuk ishte në përputhje me Planin urbanistik për fshatin Gllumovë. Me këtë, ai ka vepruar në kundërshtim me nenin 50 paragrafi 1 pika 4 dhe 11 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, në lidhje me nenin 20 të Ligjit për planifikim urbanistik dhe nenin 47 të Ligjit për ndërtim.

Trending