Akademiku i njohur Rexhep Qosja ka ndërruar jetë sot në moshën 89-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka dhënë vetë familja, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Siç thotë familja, akademiku ka ndërruar jetë sot dhe po sot është varrosur vetëm me prani të familjarëve të tij. Më dëshirën e të ndjerit, familja thekson se nuk do të organizojë ceremoni pritjeje dhe as do të marrë pjesë në ceremonitë e organizuara nga institucionet. “Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e familjes.
Kush ishte Rexhep Qosja?
U lind në Vuthaj, në krahinën e Malësisë asokohe nën Mbretërinë Jugosllave. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964.
Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.
Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij” në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
U pranua në Partinë Komuniste të Jugosllavisë në vitet 70. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.[2] Më 1989 iu propozua që të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por Qosja refuzoi.
Pas ndryshimeve politike më 1990 në Shqipëri, Qosja u bë ndër kritikët më të zëshëm të kulturës dhe elitës politike si derivat gjenealogjik i nomenklaturës komuniste.
Dhjetëvjeçarin para Luftës së Kosovës mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambouillet në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.










