Trendy

Aksion policor në Maqedoni – vihen në pranga mjek dhe të punësuar shëndetësor, “kanë futur ilegalisht preparate për botoks”(DETAJE)

Para 3 orë

Policia ka zhvilluar pasditen e sotme një aksion të ri të koordinuar, i cili synon shkatërrimin e rrjeteve ilegale që, sipas informacioneve jozyrtare, kanë përfituar në dëm të shëndetit të qytetarëve. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se Departamenti për Krim të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike në kuadër të MPB-së po kryen kontrolle në disa lokacione në të gjithë vendin dhe ka ndaluar disa persona, përcjellë Tema.mk.

Mes të dyshuarve ka organizatorë, ndërmjetësues, ndërsa sipas të dhënave fillestare dyshohet se mund të jenë të përfshirë edhe mjekë dhe zyrtarë të tjerë në një grup të organizuar kriminal. Dyshohet se grupi ka qenë i përfshirë në importin dhe shpërndarjen ilegale të botoksit, filerëve dhe preparateve të tjera mjekësore të falsifikuara, të cilat janë futur në vend përmes kanaleve të paligjshme nga disa shtete, përfshirë Kinën, Turqinë dhe Serbinë. Këto produkte, sipas informacioneve, nuk kanë pasur kontroll, leje apo regjistrim përkatës, dhe më pas janë hedhur në treg.

Preparatet në fjalë, të përdorura shpesh në trajtime estetike, në vend që të përmirësojnë pamjen, mund të shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin, si infeksione, deformime, dëmtime të përhershme, madje edhe rrezik për jetën. Rasti ngre shqetësime serioze për abuzimin me besimin e pacientëve dhe rreziqet që vijnë nga ndërhyrjet mjekësore të pakontrolluara.

Trending